Hasani nga Brukseli: Ritheksova angazhimin e Shqipërisë për agjendën e integrimit në BE

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka marrë pjesë në takimin jozyrtar ministror të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Bruksel, ku bën me dije se ka ritheksuar “angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për agjendën e integrimit në BE”.

“Rruga e reformave të vazhdueshme, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, të cilën Shqipëria e ka udhëhequr përmes një reforme gjithëpërfshirëse dhe transformuese në drejtësi, mbetet vendimtare për forcimin e vlerave demokratike dhe sigurimin e progresit ekonomik”, shkruan kryediplomati në një postim në X –dikur Twitter.

Ai theksoi se “presim me padurim zbatimin e shpejtë dhe në kohë të Planit të Rritjes, si pjesë e integrimit të përshpejtuar dhe jemi gati për të filluar negociatat për grupin themelor”.

Agjenda e takimit përfshin procesin e zgjerimit të BE-së, diskutimin e mësimeve të valës së mëparshme të zgjerimit.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohej forcimit të BE-së dhe mjeteve të saj, duke përfshirë sundimin e ligjit. Siç pritej, hapa dhe reforma të rëndësishme do të konsiderohen për të forcuar kapacitetin e BE-së. /Albanianpost.com

Read Previous

Tritoli ndaj gjyqtarit në Shkodër, policia jep 30 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion

Read Next

Përballja ndaj Real Madrid në Champions, flet Tuchel