Hansi Flick nuk është befasuar nga starti mbresëlënës i Barcelonës në sezonin e ri, duke theksuar se paraqitjet e skuadrës janë rezultat i cilësisë që lojtarët kanë treguar në stërvitje.
I pyetur nëse e kishte befasuar fillimi i fortë i sezonit, trajneri gjerman u përgjigj:
“Jo, kjo ka të bëjë me cilësinë në stërvitje. Luajtëm një ndeshje fantastike, e kontrolluam lojën, krijuam hapësira dhe shënuam. Por nuk ishte një ndeshje perfekte, gjithmonë ka gjëra që mund t’i përmirësojmë”.
Barcelona ka treguar forcë të madhe në fazën ofensive, por skuadra vazhdon të luajë pa një sulmues klasik, pra një numër 9 të mirëfilltë.
Flick pranoi se qëndrimi i klubit për këtë pozitë nuk ka ndryshuar, por insistoi se Barcelona ka mjaftueshëm cilësi në repartin ofensiv për ta kompensuar mungesën.
“Mendimi ynë nuk ka ndryshuar. Na duhet një numër 9 i vërtetë, por kemi shumë cilësi në repartin ofensiv. Mënyra se si luajmë dhe e kontrollojmë ndeshjen na jep cilësi në duelet një kundër një dhe gjithashtu në finalizim”.
Trajneri i Barcelonës foli edhe për Lamine Yamal, i cili kishte qenë në dyshim për ndeshjen pasi një ditë më parë ishte stërvitur ndaras nga pjesa tjetër e skuadrës.
Megjithatë, ylli spanjoll e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe realizoi dy gola në fitoren 5-0 ndaj Valencias.
“Ai u stërvit ndaras dje dhe këtë mëngjes folëm. Më tha se ishte mirë dhe se dëshironte të luante. Ai është shumë i lidhur me skuadrën dhe kjo është shumë e mirë”
“E shihni urinë te lojtarët e mi, edhe pse shumë prej tyre janë kampionë bote. Ne duam t’i arrijmë objektivat tona dhe e dimë se do të jetë e vështirë”, përfundoi Flick. /Telegrafi/
