Gjykata Supreme shpallë të paligjshme dhe shfuqizon nene të udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike

Kolegji i Gjykatës Supreme ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditëses: Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), e paraqitur kundër të paditurës: Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Gjykata Supreme e Kosovës nëpërmjet një njoftimi ka sqaruar se ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 8 të udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të datës 18 janar 2017.

“Ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë. Në dritën e argumenteve të parashtruara dhe provave të administruara në shqyrtim gjyqësor, Gjykata Supreme e Kosovës konstaton se mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe dispozitave të akteve nënligjore normative kanë ndikuar në krijimin e një situate të pasigurisë juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e gjykatës për interpretim të unifikuar të normave dhe për mbrojtjen e parimit të sigurisë juridike dhe të trajtimit të barabartë në tregun e energjisë elektrike. Gjykata Supreme kishte parasysh se, Kosova, që nga viti 2005 është palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, përmes të cilit ajo merr përsipër detyrimin për zbatimin e “Acquis communautaire” të Bashkimit Evropian në sektorin e energjisë elektrike, që detyron në mënyrë të veçantë zbatimin e Direktivave dhe Rregulloreve për Energji të Bashkimit Evropian. Për Kosovën, kjo do të thotë se institucionet shtetërore, janë të detyruara të harmonizojnë legjislacionin energjetik dhe rregullues me detyrimet që dalin nga traktati, të cilat janë ligjërisht të detyrueshme për Palët Kontraktuese. Gjykata thekson se parimi i “efektit të konsumuar” (actus consumatus) nuk mund të interpretohet në mënyrë që të përjashtojë nga kontrolli gjyqësor aktet nënligjore që vazhdojnë të prodhojnë efekte faktike dhe juridike, për shkak se një interpretim i tillë do të cenonte të drejtën për mjet juridik efektiv, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se mospërputhja e dispozitave kontestuese të udhëzuesve të ZRRE-së, e kombinuar me interpretimet e neneve 3 dhe 37 të Ligjit Nr.05/L-084 për Energjinë Elektrike, në raport me Direktivën 2009/72/CE, ka rezultuar në një situatë juridike të paqëndrueshme, ku kufiri ndërmjet konsumatorëve që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal dhe atyre që janë të detyruar të kalojnë në tregun e lirë nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë e të parashikueshme”, thuhet në komunikatë.

Gjykata, dispozitat e ligjit i interpretoi në favor të mbrojtjes së konsumatorëve dhe në frymën e direktivës së 2009/72/CE, e cila në formulimin e saj i referohet plotësimit të dy kritereve në mënyrë kumulative, si dhe mos përmbushjes së detyrimeve për hapjen efektive të tregut, konstaton se dispozitat e kontestuara të udhëzuesve të lartcekur, kanë prodhuar pasiguri juridike për konsumatorët, andaj të njëjtat shpallen të paligjshme dhe shfuqizohen.


Reagimi i OEK pasi fitoi betejën ligjore ndaj ZRRE

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme se ka arritur një fitore të rëndësishme ligjore, me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin dhe transparencën e tregut të energjisë elektrike në vend.

Sipas OEK, me aktgjykimin P.A.nr.18/2025, të datës 05.11.2025, Gjykata Supreme e Kosovës ka miratuar kërkesëpadinë e OEK-ut dhe ka konstatuar si të paligjshëm disa dispozita kyçe të akteve nënligjore të nxjerra nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

“Gjykata Supreme ka vendosur të shfuqizojë Nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike të datës 18 janar 2017, si dhe Nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij udhëzuesi, i ndryshuar dhe plotësuar në datat 13 qershor 2018 dhe 30 tetor 2018.Ky vendim përfaqëson një hap thelbësor drejt vendosjes së një kuadri ligjor dhe rregullator më transparent, të drejtë dhe të harmonizuar me interesin e konsumatorëve jo-familjarë. Ai njëkohësisht adreson shqetësimet e ngritura nga OEK lidhur me faturimin e muajit qershor 2025 dhe kontratat individuale pas datës 1 qershor 2025. Oda Ekonomike e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj mbrojtjes së interesave të biznesit kosovar. OEK do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e këtij vendimi të Gjykatës Supreme dhe të angazhohet në procesin e hartimit të rregulloreve të reja që sigurojnë konkurrencë të ndershme dhe funksionim të rregullt të tregut të energjisë në përputhje me ligjin”, thuhet në reagim. /KosovaPress/

Read Previous

Zelensky-Macron marrëveshje për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Ukrainës

Read Next

OEK reagon pasi fitoi betejën ligjore ndaj ZRRE