Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Gjykata Supreme e ka shfuqizuar udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, me të cilin u pezulluan për 60 ditë shitjet dhe abonimet e arkave fiskale.
Udhëzimi administrativ, i nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave më 15 prill të këtij viti, është shpallur i jashtëligjshëm.
Aktgjykimi është nxjerrë më 7 korrik nga një kolegj i gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, i kryesuar nga gjyqtarja Delushe Halimi.
Gjykata e ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësve, kompanive Enternet dhe Service Global, të cilat merren me shitjen dhe servisimin e arkave fiskale, raporton Paparaci. Lëndën në gjykatë për palën paditëse e ka përfaqësuar avokati Virtyt Ibrahimaga.
“APROVOHET e themeltë kërkesëpadia e paditësve: Enternet Shpk me numër unik identifikues 811557266, me seli në Rrafshi i Kosovës, nr.80, Prishtinë, dhe Konsorciumi Service Global, me numër unik identifikues 602193427, me seli në Prishtinë, e paraqitur kundër të paditurës: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), me seli në Prishtinë”, thuhet në pikën e parë të dispozitivit të aktgjykimit.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për anulimin e Udhëzimit Administrativ që i hapte rrugë digjitalizimit të sistemit të arkave fiskale në Kosovë.
Përmes një postimi në “Facebook”, Murati e ka cilësuar vendimin si të papranueshëm dhe ka akuzuar sistemin gjyqësor për ruajtje të interesave të ngushta.
“Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale,”, shkroi ai.
Murati shtoi se, sipas tij, për shkak të këtij vendimi, bizneset do të vazhdojnë të paguajnë mbi 5 milionë euro në vit për sistemin aktual.
“Bizneset do të vazhdojnë të kenë kosto vjetore prej mbi 5 milionë euro në vit,”, theksoi ai. /Paparaci/GazetaSinjali/
