Gjermania ofron viza të përkohshme për të prekurit e tërmetit turk dhe sirian

Njerëzit e prekur nga tërmetet në Turqi dhe Siri do të lejohen të qëndrojnë përkohësisht me të afërmit në Gjermani.

“Kjo është ndihmë emergjente”, tha ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, për gazetën Bild të shtunën.

“Ne duam të lejojmë familjet turke ose siriane në Gjermani që të sjellin të afërmit e tyre të afërt nga zona e fatkeqësisë në shtëpitë e tyre pa burokraci”.

Ajo tha se kjo do të bëhet me viza të rregullta, të cilat do të lëshohen shpejt dhe do të mbeten të vlefshme për tre muaj.

Vendimi vjen pasi numri i të vdekurve nga tërmetet i kaloi 33 mijë. Miliona njerëz janë zhvendosur në të dy vendet.

Rreth 2.9 milionë njerëz me origjinë turke jetojnë në Gjermani, me më shumë se gjysma me kombësi turke.

Komuniteti sirian është gjithashtu i madh dhe vlerësohet në 924 mijë, që kur ish-kancelarja gjermane Angela Merkel hapi kufijtë për refugjatët në 2015 dhe 2016.

Kishte 118 mijë sirianë në Gjermani në vitin 2014.

Më 6 shkurt 2023, një tërmet i parë me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter, i ndjekur nga të paktën dy tërmete të tjera të mëdha, goditi Turqinë dhe Sirinë duke shkaktuar mijëra viktima.

Mijëra ndërtesa kanë pësuar dëmtime serioze, duke përfshirë shkollat dhe objektet e kujdesit shëndetësor dhe infrastrukturë të tjera publike si rrugët, aeroportet, portet, terminalet e naftës, linjat e energjisë elektrike, furnizimin me ujë dhe ujërat e zeza.

Janë regjistruar disa pasgoditje të rënda, të cilat kanë shkaktuar viktima dhe dëme të tjera.

Menjëherë u aktivizua Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

20 shtete anëtare të BE-së dhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë ofruar tashmë 31 ekipe kërkim-shpëtimi dhe 5 ekipe mjekësore nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.

Ekipet përbëhen gjithsej nga mbi 1500 shpëtimtarë dhe 100 qen kërkim-shpëtim. /Albanianpost.com

Read Previous

Shqipëria, tregues të fortë për një industri të madhe turistike

Read Next

Deficiti tregtar i Britanisë me BE-në është në nivel rekord