Gërvalla: Është momenti i duhur për të aplikuar për anëtarësim në BE

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz para deputetëve në Kuvend ka thënë se është momenti i duhur për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ajo u shpreh se ka pasur një strategji të qartë të lobimit për hyrje në Këshillin e Evropës.

“Po, është momenti i duhur për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, po, ka pasur një strategji të qartë të lobimit për hyrje në Këshillin e Evropës para dorëzimit të kërkesës, po, Kosova ka bërë një progres të dukshëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, u shpreh ajo.

Tutje, ministrja tha se Kosova ka kaluar disa nga fazat e domosdoshme për të kaluar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Kosova ka kaluar disa nga fazat e domosdoshme për të kaluar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ka strategji shumë të qartë edhe rreth anëtarësimit në BE dhe ka koordinim me partnerët tanë, si në BE ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara rreth aspiratave tona për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Jo vetëm që ka koordinim, por ka edhe mbështetje të fuqishme për aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, u shpreh tutje Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gervalla-Schwarz, për çështjen e aplikimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, tha se procesi nuk përfundon me dorëzimin e kërkesës, por fillon një fazë shumë e rëndësishme në të cilën Kosova, si një prej 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor, shpreh edhe formalisht aspiratat e saj për t’u anëtarësuar në BE.

“Nuk ka alternativë tjetër ndaj kërkesës formale për t’u anëtarësuar në BE dhe për të filluar procedurat nëpër të cilat kanë kaluar edhe të gjitha shtetet tona fqinje deri në atë që do të jetë finalja anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian”, deklaroi ministrja e Jashtme.

Ajo shtoi se askush në Qeverinë e Republikës nuk është naiv të mos i dijë sfidat që janë përpara.

“Të gjithë e dimë që ka skepticizëm dhe shtete jo-njohëse dhe sa më shumë që i rrit provokimet dhe tensionet Serbia, aq më shumë frikësohen disa nga shtetet e Bashkimit Evropian me atë mënyrën e tyre që thonë se ‘shikoni merruni pak vesh mes vete sepse rendi dhe ligji janë njëra anë, por nuk duan konflikte’”.

“Por të ndërgjegjshëm për sfidat që kemi përpara, natyrisht që zgjidhja është se nuk mund të stepemi, të dorëzohemi para krimit, para tensioneve, para shantazheve. Lëvizja e radhës duhet të jetë në mënyre shumë progresive, jo vetëm të dorëzojmë kërkesën por të jemi të përgatitur për të prezantuar jo vetëm kërkesën tonë por edhe për të treguar vizionin tonë për të bërë të gjitha detyrat e shtëpisë për t’u anëtarësuar më në fund”, u shpreh ministrja Gërvalla.

/Klankosova.tv/

Read Previous

Ngadalësohet rritja e çmimeve në Shqipëri për herë të parë që nga tetori i vitit 2021

Read Next

Granit Xhaka reagon me një postim pas eliminimit të Zvicrës nga Kupa e Botës