Analiza e DW: Pse kompanitë gjermane nuk po largohen nga Ukraina?

Impiantet energjetike, stacionet e trenit, qendrat tregtare, depot dhe ndërtesat e banimit vazhdojnë të jenë objektiva të sulmeve masive ruse në Ukrainë. Gjithnjë e më shpesh po goditen edhe impiantet industriale, duke prekur drejtpërdrejt kompanitë gjermane që veprojnë në vend.

“Në muajt e fundit, mallra dhe objekte me vlerë prej disa qindra milionë eurosh janë shndërruar në hi”, deklaroi Oliver Gierlichs, drejtor menaxhues i Bayer në Ukrainë dhe president i Dhomës Gjermano-Ukrainase të Industrisë dhe Tregtisë (AHK Ukrainë). Sipas tij, dëmet aktuale llogariten në rreth 500 milionë euro.

Edhe në Forumin e 9-të Ekonomik Gjermano-Ukrainas, të mbajtur këto ditë në Berlin (20.11.)u trajtua kjo temë. Oliver Gierlichs përshkroi situatën e vështirë në terren. AHK-ja, së bashku me dy shoqata të tjera të biznesit gjerman, mblodhi rreth 500 pjesëmarrës nga politika dhe ekonomia, mes tyre kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin ukrainas Serhiy Koretsky.

Sipas të dhënave të AHK-së, më shumë se 2.000 kompani gjermane operojnë në Ukrainë, ndërsa investimet direkte gjermane arrijnë në rreth një miliard euro. Megjithatë, sipas Gierlichs, sulmet e vazhdueshme po e rëndojnë ndjeshëm situatën. “Po përgatitemi për një dimër të vështirë”, tha ai

Ekonomia ukrainase nën presion

Pas disa vitesh me ritme relativisht të mira rritjeje, ekonomia ukrainase ka shfaqur shenja dobësimi që nga vera e këtij viti. “Sulmet e intensifikuara ruse ndaj infrastrukturës kritike dhe kapaciteteve prodhuese në Ukrainë gjatë muajve të fundit kanë përkeqësuar ndjeshëm perspektivën ekonomike”, thuhet në analizën më të fundit të Shkollës së Ekonomisë së Kievit (KSE), e cila paralajmëron për “rreziqe serioze”.

Furnizimi me energji elektrike mbetet problematik, ndërsa mungesa e fuqisë punëtore po thellohet, pasi shumë qytetarë mobilizohen për luftë ose largohen nga vendi për shkak të pasigurisë. Sipërmarrësit gjermanë shprehin shqetësime edhe për procedurat e ndërlikuara të licencimit dhe mungesën e transparencës në rregulloret administrative.

Megjithatë, kancelari Merztheksoi se asnjë kompani gjermane nuk është larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës. Sipas tij, tregtia midis Gjermanisë dhe Ukrainës arriti mbi 12 miliardë euro në vitin 2025, një rritje prej 4,4 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Bashkëpunimi ushtarak dhe përfitimet ekonomike

Bashkëpunimi ushtarak zë aktualisht një vend qendror në marrëdhëniet gjermano-ukrainase. Përveç furnizimit me pajisje ushtarake, po zhvillohen gjithnjë e më shumë projekte të përbashkëta industriale.

Një nga shembujt është droni luftarak me rreze të gjatë veprimi “Anubis”, i prodhuar nga kompania e përbashkët gjermano-ukrainase “Auterion Airlogix”. Droni u zhvillua në Ukrainë, ndërsa softueri i tij vjen nga Gjermania.

Rreth 5.000 njësi të këtij droni planifikohen të prodhohen pranë Mynihut. Kjo do të shënonte herën e parë që Gjermania vendos prodhim industrial në seri të dronëve të rëndë sulmues në territorin e saj.

“Ajo që investojmë sot në Ukrainë do të na kthehet shumëfish përmes stabilitetit, mundësive të eksportit, projekteve të përbashkëta dhe rritjes ekonomike”, tha Merz.

524 miliardë dollarë për rindërtimin

Kompanitë e huaja që operojnë në Ukrainë po përballen vazhdimisht me balancimin e rreziqeve të larta dhe mundësive të mëdha ekonomike. Në shkurt 2025, Komisioni Evropian dhe qeveria ukrainase vlerësuan se rindërtimi i vendit gjatë dhjetë viteve të ardhshme do të kërkonte rreth 524 miliardë dollarë. Kjo shumë ka të ngjarë të jetë rritur më tej për shkak të vazhdimit të luftës.

Ukraina po shihet gjithnjë e më shumë jo vetëm si një përfituese e ndihmës ndërkombëtare, por edhe si një destinacion i ardhshëm investimesh. Vendi synon të modernizojë ekonominë, ta afrojë atë me standardet e Bashkimit Evropian dhe ta integrojë në tregun e përbashkët evropian.

Mundësi për kompanitë gjermane

Kryeministri ukrainas Serhiy Koretsky sheh shanse për bashkëpunim. “Mundësi të konsiderueshme në industrinë e mbrojtjes, sektorin e energjisë, infrastrukturë, teknologjinë e informacionit dhe në shumë fusha të tjera”. Bazat janë, thekson Oliver Gierlichs. “Dija gjermane dhe energjia ukrainase, të kombinuara me unitetin dhe vendosmërinë, përbëjnë një bazë të fortë për bashkëpunim”.

Megjithatë, bizneset gjermane kërkojnë mbështetje shtesë. Përfaqësuesit e tyre theksojnë nevojën për mekanizma të besueshëm financimi, garanci investimesh dhe mbrojtje efektive ndaj rreziqeve të luftës. Gjithashtu, ata kërkojnë zinxhirë të sigurt logjistikë, një klimë biznesi më të parashikueshme dhe procedura administrative më të shpejta.

Garancitë dhe reformat si kusht për investime

Kancelari Merz premtoi mbështetje të mëtejshme për Ukrainën, por njëkohësisht kërkoi vazhdimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. “Këto reforma janë parakusht për ndihmë dhe investime të mëtejshme financiare”, theksoi ai.

Në të njëjtën kohë, disa dallime interesash mes partnerëve mbeten sfidë. Kompanitë gjermane synojnë qasje në tregje të reja, ndërsa bizneset ukrainase kërkojnë transferim teknologjie dhe zgjerim të prodhimit vendas, në mënyrë që një pjesë sa më e madhe e vlerës së shtuar të mbetet në Ukrainë.

Merz paralajmëroi se taksat mbi eksportet dhe kufizimet ligjore për transferimin e të drejtave të pronësisë intelektuale mund të pengojnë bashkëpunimin në fushën e inovacionit.

Kush do ta financojë rindërtimin?

Përfaqësuesit e biznesit ukrainas vlerësojnë se sektori privat mund të mbulojë deri në 40 për qind të kostove të rindërtimit në planin afatgjatë. Megjithatë, shumica e projekteve aktuale varen nga bankat ndërkombëtare të zhvillimit, garancitë shtetërore dhe programet publike të mbështetjes.

Pa këto instrumente financiare, shumë investime nuk do të ishin të realizueshme.

Në fund të vitit 2025, shteti gjerman kishte garantuar investime në Ukrainë me një vlerë totale prej 558 milionë eurosh. Kjo do të thotë se, në rast dështimi të investimeve për shkak të luftës ose vendimeve politike, një pjesë e barrës financiare mund të bjerë mbi taksapaguesit gjermanë.

Konkurrencë e fortë për kontratat e rindërtimit

Duket se sipërmarrësit gjermanë shpesh janë më të kujdesshëm në marrjen e rreziqeve sesa homologët e tyre nga Turqia, India ose Kina. Megjithatë, interesi për projektet e ardhshme të rindërtimit të Ukrainës është shumë i madh. Kompani nga e gjithë bota po përpiqen të sigurojnë pozicione në treg dhe të fitojnë kontrata fitimprurëse për fazën e pasluftës.

Për ekspertët, mesazhi është i qartë: kompanitë që duan të përfitojnë nga rindërtimi i Ukrainës duhet të krijojnë partneritete që tani dhe të ndërtojnë një prani afatgjatë në tregun ukrainas./ DW

Read Previous

Murati për Ligjin e ri të Speciales: S’pres rezultate nëse s’ka marrëveshje me ShBA-në dhe Evropën

Read Next

“Gjykata e ndërtuar mbi një thashetheme”: Petrit Selimi bisedon me Sir Geoffrey Nice për Hagën