Gërvalla dhe Osmani nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim të diasporës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e diasporës me homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Gjatë prezantimit të kësaj marrëveshje, Gërvalla ka theksuar se kjo marrëveshje, përveçse do të thellojë raportet dypalëshe, do të ndikojë në forcimin e lidhjeve të diasporës së të dy vendeve bazuar në nevojat reale që ata kanë. Gjithashtu ka thënë se institucionalizimi i relacioneve me diasporën është i domosdoshëm.

“Duke qenë se lidhjet tona dalin përtej sferës ekonomike, politike, akademike e diplomatike, marrëveshja në fushën e diasporës është vetëm një instrument përmes të cilit forcojmë marrëdhëniet e shkëlqyeshme të bashkatdhetarëve tanë”.

Gjithashtu Gërvalla bëri të ditur se shkëmbimi i përvojave dhe programeve në fushën e diasporës, bashkëpunimi reciprok ndërmjet institucioneve përgjegjëse në fushën e diasporës në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta, organizimi i konferencave të përbashkëta, janë vetëm disa nga format përmes të cilave kjo marrëveshje, sipas Minsitrisë, ka synim të intensifikojë marrëdhëniet e bashkëpunimit midis dy shteteve.

“Ne si qeveri jemi të përcaktuar për avancimin e diplomacisë ekonomike dhe diplomacisë publike. Arti, kultura dhe sporti janë instrument i diplomacisë kulturore dhe si të tilla janë vlera përmes të cilave zhvillohet diplomacia në përgjithësi dhe përmes të cilave duhet të synohet vazhdimi i miqësisë së thellë dhe të përhershme. Lidhja e marrëveshjes në fushën e diasporës do të jetë një angazhim serioz i përbashkët për krijimin e programeve të përbashkëta kulturore për diasporën, programe përmes të cilave do të zhvillojmë dhe forcojmë marrëdhëniet tona dypalëshe duke synuar që të kontribuojmë në objektivat gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit midis dy shteteve”.

Gjithashtu, Gërvalla ka thënë se Maqedonia e Veriut është një partner strategjik i Kosovës dhe se bashkëpunimi përmes marrëveshjeve, takimeve dhe vizitave të niveleve të ndryshme janë model i bashkëpunimit rajonal dhe i fqinjësisë së mirë.

Read Previous

Gjendja me Covid-19 në spitalin e përgjithshëm “Isa Grezda” ka filluar të normalizohet

Read Next

Historia e Emblemës së Kastriotëve