Gashi: Anëtarësimi në NATO është rruga më e sigurt për të ofruar siguri

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Universiteti i Prishtinës, në bashkëpunim me Universitetin e Arkanzasit, me rastin e shënimit të 25- vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Përmes një njoftimi nga MPJD, thuhet se Gashi duke rikujtuar ndërhyrjen e NATO-së, ka thënë se ky 25-vjetor rikujton ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, duke bërë që vendi të çlirohet përfundimisht nga një regjim që ka shkaktuar dhunë sistematike, krime e gjenocid ndaj një popullsie të pafajshme, duke hapur rrugën drejt paqes, stabilitetit dhe demokracisë.

“Republika e Kosovës, si shteti më demokratik në rajon, ka dëshmuar mirënjohjen që ka ndaj aleancës më të madhe ushtarake, NATO-s dhe miqve e partnerëve tanë, të cilët kontribuan që vendi ynë të gëzojë paqen dhe lirinë”, tha zëvendësministrja Gashi.

Duke folur për progresin e arritur në vend, zëvendësministrja Gashi potencoi se si shtet dhe shoqëri jemi të përcaktuar nga vlerat e parimet demokratike dhe këtë e dëshmon pozicionimi i Kosovës përkrah demokracive perëndimore.

Ajo, gjithashtu tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO është rruga më e sigurt për të ofruar siguri, paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon, duke pasur parasysh qasjen destruktive dhe veprimet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë.

“Historia e shtetndërtimit tonë dhe NATO-ja janë pjesë e padiskutueshme e rrëfimit të suksesshëm, si histori të pandashme nga njëra-tjetra, siç ishin dhe do të mbeten miqtë tanë ndërkombëtarë dhe përkrahja e tyre në rrugëtimin tonë drejt avancimit të progresit në vend”, theksoi zëvendësministrja Gashi në përmbyllje të fjalimit të saj.

Në hapje të konferencës mori pjesë edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, dhe përfaqësues të tjerë nga bota e akademisë dhe shoqërisë civile./rtklive

Read Previous

Hetuesit do të analizojnë nëse “karburanti i ndotur” bëri që anija të godiste uren në Baltimore

Read Next

Cyrih: Rreth 3 mijë persona morën nënshtetësinë zvicerane për një vit