Garancitë shtetërore, 60% i përkasin sektorit të energjisë në Shqipëri

Të paktën 60 për qind e garancive të dhëna nga shteti i përkasin sektorit të energjisë në vitin 2021.

Të dhënat zyrtare në raportin e borxhit publik të Ministrisë së Financave tregojnë se shumica e garancive pas energjisë janë të lidhura me pandeminë.

“Më shumë se 60% e totalit të garancive shtetërore i përkasin sektorit të energjisë, duke reflektuar politikat e qeverisë në drejtim të mbështetjes së sektorit të energjisë, në kuadër të përmirësimit të performancës financiare, rritjes së eficiencës dhe mbështetjes në kuadër të shpalljes së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike. Gjithashtu një peshë të konsiderueshme prej 17.4% në portofolin e borxhit të garantuar, zënë dy skemat e garancive sovrane të emetuara për të mbështetur biznesin në situatën e pandemisë” thuhet në raport.

Referuar shifrave zyrtare në fund të vitit 2021, portofoli i borxhit të garantuar vlerësohet në 54.9 miliard Lekë (2.9% e PBB) ose 4.0% e portofolit të borxhit të qeverisjes qendrore.

“Krahasuar me fundin e vitit të kaluar, borxhi i garantuar është rritur në vlerë absolute me rreth 6.1 miliard Lekë, nga ku 10.1 miliard Lekë i korrespondojnë portofolit të borxhit të garantuar të brendshëm dhe -4.0 miliard Lekë i korrespondojnë portofolit të borxhit të garantuar të jashtëm. Rritja e stokut të garancive të brendshme ka ardhur kryesisht si rezultat i emetimit të garancisë për OSHEE në vlerën 81.5 milion Euro ne fund të vitit 2021. Kjo garanci u emetua në vijim të VKM Nr. 584, datë 08.10.2021 “Për shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike”, me qëllim mundësimin e financimit të menjëhershëm të shoqërisë për përballimin e rritjes së çmimeve dhe vazhdimin e furnizimit me energji” thuhet në raport.

Garancitë shtetërore janë një formë mbështetjeje që qeveria qendrore jep për institucione të ndryshme varësie në momente të caktuara. Këto garanci janë të shoqëruara me marrëveshje që përcaktojë termat dhe u mundësojnë institucioneve që të kenë akses në marrjen e huave në tregjet e brendshme.

Në vitin 2021 kriza e energjisë dhe çmimet e larta në bursa bënë që kompanitë publike dhe sidomos ajo e shpërndarjes të haste probleme me likuiditetin. Për të siguruar vijimin e blerjeve të energjisë në bursa ndaj kompanisë publike u miratua një garanci që i dha mundësi për të blerë energji deri në fund të vitit. Më pas blerja kaloi tek KESH në kushtet e emergjencës një procedurë që po vijon të kryhet po nga kompania e gjenerimit./Monitor.al/

Read Previous

Tottenham “mbyll” nënshkrimin me mbrojtësin e Udinese-s

Read Next

Mot i ndryshueshëm në Gjakovë