21 raste të reja me HIV/AIDS në Kosovë, IKSHPK apelon për testim të hershëm
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rishikuar në ulje parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2025, sipas raportit më të fundit të Pasqyrës Ekonomike Globale të tetorit.
Ekonomia shqiptare pritet të zgjerohet me 3.4%, nga 3.8% që ishte pritshmëria në raportin e pranverës. Ndërkohë, për vitin 2026, FMN ka rishikuar në rritje të lehtë parashikimin, në 3.6%, nga 3.5% më parë.
Inflacioni pritet të qëndrojë i kontrolluar, duke u rritur lehtë në 2.3% gjatë 2025-s dhe në 2.8% vitin pasues.
Në rajon, Kosova pritet të ketë zgjerimin më të fortë ekonomik me 3.9% në 2025 dhe 4% në 2026. Maqedonia e Veriut do të ketë rritje të ngjashme me Shqipërinë (3.4%), ndërsa Mali i Zi pritet të performojë me 3.2%.
Në Bosnjë-Hercegovinë rritja parashikohet me 2.4% në 2025 dhe 2.7% në 2026, ndërsa Serbia pritet të mbetet në nivelin 2.4% vitin e ardhshëm.
Ekonomia botërore përballë tarifave të Trump
FMN paralajmëron se, megjithëse ekonomia botërore po tregon qëndrueshmëri përballë tarifave të gjera amerikane dhe proteksionizmit, presionet e brendshme dhe pasiguritë afatgjata po rëndojnë perspektivën e saj.
Në raportin e fundit World Economic Outlook, publikuar të martën, FMN parashikon që ekonomia globale të rritet me 3.2% këtë vit, nga 3% që ishte parashikimi i korrikut, ndërsa në vitin 2026 pritet një ngadalësim në 3.1%.
Sipas kryeekonomistit të FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas, “Nuk është aq keq sa kishim frikë, por është më keq se sa prisnim një vit më parë – dhe më keq se sa do të duhej”.
FMN vlerëson se përmirësimi i përkohshëm i këtij viti lidhet me rritjen e aktivitetit ekonomik përpara vendosjes së tarifave, si dhe me dobësimin e dollarit, që ka ndihmuar tregtinë globale. Por, institucioni paralajmëron se këto efekte janë të përkohshme dhe pritshmëritë për periudhën afatmesme mbeten të zbehta.
Në SHBA, rritja pritet të ngadalësohet në 2% këtë vit, ndërsa në zonën e euros do të arrijë 1.2%, me një ulje të lehtë në 2026. Kina, nga ana tjetër, do të ngadalësohet në 4.8% në 2025 dhe 4.2% në 2026.
FMN thekson gjithashtu se huamarrja publike dhe kostot në rritje të mbrojtjes, sigurisë energjetike dhe plakjes së popullsisë do të detyrojnë shumë qeveri, veçanërisht në Evropë, të kufizojnë shpenzimet. /Albanianpost.com
