Këtë lloj të mbeturinave inerte sot po e barte vala e lumit Erenik. Si duket papërgjegjësia e qytetarëve ka bërë që një gjë e tillë të hudhet në lumin që kalon përskaj qytetit të Gjakovës. Pikërisht për këtë dhe shumë mbeturina të tjera që janë përreth shtratit të lumit sot filloi aksioni “Ta pastrojmë lumin Erenik “. E gjithë kjo u organizua në kuadër të garës për Gjakovë të pastër. Ishin punëtorët e kompanisë rajonale të mbeturinave “Çabrati” së bashku me sektorin për menaxhimin e mbeturinave pranë kuvendit komunal që ndërmorën këtë nismë.Fillimisht te ura Ura që e lidh lagjen Blloku i Ri me fshatin Moglicë u bë krasitja e degëve të pemëve si dhe u larguan mbeturina nga më të ndryshme.Për të parë nga afër se si po shkon ky proces i pastrimit erdhi kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini i cili tha se një gjë e tillë nuk po bëhet vetëm sot po do të jetë një vazhdimësi e projekteve të nisura që kanë të bëjnë me rregullimin e shtretërve të lumenjeve në përgjithësi.
Dihet se muaj më parë si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe rritjes së nivelit të ujit, edhe lumi Erenik ka bartur mbeturinat që janë hudhur në vende ku edhe kalon ky lum dhe të njëjtat tani pas rënies së nivelit të ujit kanë mbetur në shkurre e degë të pemëve. Kryshefi ekzekutiv KRM “Çabrati” Behar Ferizi tha se pasiqë sasia e mbeturinave është e madhe në këtë anë pastrimi i Erenikut do të vazhdojë edhe në ditët e tjera.
Ata që cdo ditë e frekuetojnë këtë pjesë të qytetit janë qytetarët të cilët thanë se duhet të rritet vetëdija e gjithësecilit dhe të mos shkatërrohen lumenjët e as mjedisi në përgjithësi.
Përfaqësues të institucioneve dhe organizatave shpresojnë se organizimi i këtyre aksioneve do të ndikojë në rritjen e vetëdijësimit tek qytetarët për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike, sidomos lumenjve, gjendja e të cilëve po përkeqësohet dita ditës.