“Ekonomia globale, rritje me 3%”, FMN: Shqetësim mbetet inflacioni i lartë

Fondi Monetar Ndërkombëtar përmirësoi projeksionet për ekonominë globale këtë vit, nisur nga aktiviteti ekonomik në tremujorin e parë, por paralajmëroi se sfidat e vazhdueshme po dobësojnë perspektivën afatmesme.

Sipas FMN ekonomia globale do të zgjerohet me 3%, një vlerësim prej 0.2% më i lartë se parashikimi i prillit, megjithatë la të pandryshuar perspektivën për vitin e ardhshëm po në 3%. Parashikimi i rritjes ekonomike për vitet 2023-2024 mbetet i dobët dhe shumë poshtë mesatares vjetore prej 3.8% për shkak të tkurrjes së prodhimit në shumë ekonomi të zhvilluara thotë FMN në raportin e publikuar së fundmi.

FMN rriti perspektivën e saj për ekonominë e Shteteve të Bashkuara, ndërsa uli pritshmëritë për ekonominë Gjermane duke shtuar se pritet të tkurret me 0.3% këtë vit ndikuar nga rënia e prodhimi. Nga ana tjetër përmirësoi ndjeshëm vlerësimet për Britaninë e Madhe.

Shqetësim serioz mbetet inflacioni i lartë, ndërsa politika shtrënguese që kanë ndjekur bankat qendrore për ta luftuar atë duke rritur normën bazë të interesit vazhdon të rëndojë mbi aktivitetin ekonomik.

FMN paralajmëroi se inflacioni mund të rritet nëse lufta në Ukrainë intensifikohet, duke theksuar shqetësimin për tërheqjen e Rusisë nga marrëveshja e drithërave si dhe nga rritja ekstreme e temperaturave, ccka do ti detyronte bankat të vijonin sërish me politikat e rritjes së normës së interesit.

Tregtia ndërkombëtare dhe treguesit e kërkesës dhe prodhimit tregojnë për dobësi të mëtejshme për ekonominë botërore thuhet më tej në raport, ndërsa shqetësuese evidentohet edhe plakja e popullsisë veçanërisht për vende si Kina, Japonia dhe Gjermani. Teknologjitë e reja thotë FMN mund të rrisin produktivitetin vitet e ardhshme, por kjo mund të rezultojë shkatërruese për tregjet e punës. /abcnews.al

Read Previous

Shtëpia e shkrimtarit Dritëro Agolli së shpejti në muze

Read Next

Fshatrat Gërqinë, Hereq, Lipovec dhe Damjan me reduktime të ujit të pijes