Edi Rama: S’ka më legalizime për ndërtimet e paligjshme

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se çdo ndërtesë e ndërtuar në mënyrë të paligjshme në zona të mbrojtura, hapësira publike apo projekte infrastrukturore do të shembet pa asnjë tolerim.

Ai theksoi se procesi i ndërhyrjes është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian dhe përmbylljen e procesit të legalizimeve brenda vitit 2028.

“Ky është një proces që synon të bashkojë dy qëllime: përmbushjen e objektivave të integrimit dhe finalizimin e legalizimeve. Askush të mos mendojë se do të legalizojë më vonë diçka të ndërtuar në shkelje të ligjit dhe jashtë afateve. Kjo histori ka marrë fund”, deklaroi Rama.

Kryeministri u shpreh se çdo ngrehinë e ndërtuar për qëllime fitimi apo që cënon hapësirat publike, zonat e mbrojtura apo projektet e infrastrukturës, do të rrafshohet pa mëshirë.

“Nuk do të ketë tolerancë, dialog apo ndalim në këtë proces. Deputetët e shumicës që morën 83 mandate duhet të jenë pranë komuniteteve, sepse shumica dërrmuese e qytetarëve pengohen çdo ditë në jetën e tyre nga ata që me guxim të tepërt dhe me ndihmën e mbylljes së syve nga inspektorët kanë pushtuar hapësirat publike”.

Rama theksoi se Tirana mbetet zona më problematike, për shkak të atraksionit të saj, dhe se në çdo lagje ekziston një “zaptues” hapësirash publike.

Ai përmendi se puna ka nisur me seriozitet nga kryeinspektori, por kërkoi që ajo të shtrihet në të gjithë territorin, duke u mbështetur në të dhënat që po mblidhen nga deputetët në terren.

“Këto të dhëna duhet të përkthehen në plane konkrete veprimi”, përfundoi ai. /Albanianpost.com

Read Previous

Donald Trump konfirmon: Ukraina do të marrë sisteme shtesë Patriot për mbrojtje ajrore

Read Next

Gjykata Komerciale pezullon vendimin e ZRrE-së për pesë kompani të tjera