Doza të pamjaftueshme të vaksinave për stafin shëndetësor, ankohen komunat

Me kritika të shumta është duke u shoqëruar shpërndarja e vaksinave anti-COVID nëpër komuna të Kosovës. Disa nga përfaqësuesit e komunave, që tashmë kanë pranuar dozat e para të vaksinës së “AstraZenecas”, janë ankuar se numri i stafit shëndetësor që po pret për t’u vaksinuar është më i madh se dozat që kanë shpërndarë MSH-ja dhe IKSHPK-ja

Suhareka është komuna e radhës që ka filluar me vaksinimin e personelit shëndetësor këtë të mërkurë. Kjo komunë, ku sipas evidencës zyrtare numëron mbi 200 persona staf shëndetësor, ka pranuar vetëm 110 doza të vaksinës “AstraZeneca”. Besa Kuçi, drejtoreshë për Shëndetësi në komunën e Suharekës, shpreson që sasia tjetër t’u vijë sa më shpejt, ndërsa që i ka bërë thirrje stafit që të vaksinohet.

“I bëj thirrje stafit shëndetësor të vaksinohet, sepse janë të parët që kanë kontakte me personat e prekur apo me ata me simptoma… Stafi shëndetësor që pret për t’u vaksinuar është 215, ne kemi pranuar vetëm 110 vaksina. Presim në vazhdim me na e sjellë edhe pjesën tjetër”, ka thënë Kuçi.

Sanije Gashi, e cila punon në Urgjencë në këtë komunë, ishte ndër personat e parë që u vaksinua në Suharekë. Ajo thotë se ndihet shumë mirë pas vaksinimit.

“Vaksinën e mora, nuk ishte diçka rrezik apo e trishtueshme, shumë mirë kalova… Nuk pata asnjë frikë, u nisa me marrë vaksinën dhe e mora… Do të thosha, ta marrë vaksinën e gjithë popullata, ta shpëtojë veten”, ka thënë ajo pas marrjes së dozës së parë të vaksinës.

Me numër të vogël të dozave të vaksinës janë duke u përballur edhe komunat e tjera, që tashmë kanë filluar me vaksinim.

Gjatë të martës Qendra Kryesore Familjare në Kaçanik, nëpërmjet një njoftimi në Facebook, kishte thënë se ka pranuar 70 doza të vaksinës e që janë pak për numrin e punëtorëve shëndetësorë që janë në atë komunë.

“Numri i vaksinave të pranuara është 70 dhe ky numër nuk i plotëson as nevojat e punëtorëve shëndetësorë. Prandaj në këtë periudhë do të vaksinohen vetëm punëtorët shëndetësorë të QKMF-së, kurse me ardhjen e kontingjentit tjetër të vaksinave do të procedohet me kategoritë e tjera sipas programit kombëtar të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës”, është shkruar në faqen e Facebookut të QKMF-së “Dëshmorët e Lirisë” në Kaçanik.

Ankesa të tilla ka pasur edhe nga Komuna e Shtimes, komunë që ka pranuar po ashtu 70 doza. Musa Baftiu, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Shtimes, tha se presin që ditët në vazhdim presin të furnizohen me vaksina të tjera nga institucionet.

“Ne jemi furnizuar dje me 70 vaksina për stafin profesional dhe sot kemi filluar vaksinimin. Besoj që ditët në vazhdim, sipas IKSHPK -së, do të bëhet furnizimi me vaksina të tjera me stafin profesional privat dhe grupmoshat mbi 80 vjeç”, ka thënë ai.

Në këtë komunë ka pasur hezitim nga një pjesë e stafit shëndetësor për t’u vaksinuar, por për t’i motivuar ata i pari u vaksinua kryetari Naim Ismaili.

Komuna e Pejës ka pranuar rreth 1 mijë doza të vaksinës, aq sa edhe është numri i stafit shëndetësor në të gjitha nivelet në këtë komunë. 1 mijë e 270 vaksina anti-COVID ka pranuar edhe Komuna e Prizrenit, e cila ka një staf shëndetësor prej më shumë se 1 mijë e 300 vetash.

Në lidhje me shpërndarjen e vaksinave dhe për ankesat e komunave që këto doza nuk po mjaftojnë, ka thënë se procesi i vaksinimit është shtrirë në 29 komuna të Kosovës dhe se çdo person nga personeli shëndetësor do t’i mundësohet marrja e një doze të vaksinës “AstraZeneca”.

“Në këtë fazë do të mbulohen me nga një dozë vaksine kundër COVID-19 të gjithë të punësuarit në institucione shëndetësore dhe dozat janë ndarë sipas listave të dërguara nga institucionet. Çdokujt prej personelit shëndetësor do t’i mundësohet në këtë fazë marrja e një doze të vaksinës ‘Astra Zeneca’”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Read Previous

Vitia: Varianti britanik është dominant mbi 95% në Kosovë

Read Next

Poshtërim për BE-në, italianët detyrohen të vaksinohen në Serbi me dozat ruse e kineze