Detaje nga plagosja në Gjilan, arrestohen 6 të dyshuar, prej tyre njëri i mitur

Një 33 vjeçar u plagos mbrëmë në fshatin Gadish të Gjilanit. Lidhur me këtë tentim vrasje, Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka dhënë detaje të reja.

Policia bënë të ditur se lidhur me këtë rast janë arrestuar 6 të dyshuar, njëri nga ta i mitur.

“Janë arrestuar gjashtë (6) të dyshuar meshkuj kosovar (njëri nga ta i mitur) pasi të njëjtit fillimisht kishin sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar (roje pylli) e më pas njëri nga të dyshuarit kishte shtënë me armë gjuetie në drejtim të viktimës. Si pasojë viktima është plagosur në këmbë”, njofton policia.

Policia shton se në vendin e ngjarjes, gjatë kontrollit të veturës së personave të dyshuar është gjetur dhe konfiskuar një armë gjuetie.

“Viktima është dërguar në tretman mjekësorë dhe i njëjti sipas raportit mjekësorë është jashtë rrezikut për jetë. Me vendim të prokurorit pesë të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari i mitur është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë. /Telegrafi/

Read Previous

Gjendja në pikat kufitare për të hyrë në Kosovë

Read Next

OKB: Rreth 50.000 gra shtatzëna jetojnë në mes të luftës në Gaza