Demokraci Plus ka publikuar raportin rreth përdorimit të kontratave një burimore në prokurimin publik gjatë viteve 2019-2023, raporton Ekonomia Online. Ardit Dragusha, tha se situata është emergjente ngase gjatë këtyre katër vjetësh janë janë lidhur një numër i madh i këtyre kontratave një burimore.
Ndonëse ai shton se kjo situatë është krijuar për shkak të Covid-19, edhe pas tejkalimit të krizës institucionet e kanë vazhduar një praktikë të tillë.
Ai ka sqaruar se në vitin 2019 me kontrata një burimore u shpenzuan 68 milionë euro, në vitin 2020, u shpenzuan 56 milionë euro, në 2021, 51 milionë euro. Ndërkohë në vitin 2022, u shpenzuan rreth 78 milionë euro.
Dragusha pohoi se institucionet që lidhën më së shumti kontrata një burimore gjatë viteve 2019-2023 janë: Komuna e Prishtinës, KEK, Komuna e Gjakovës dhe Komuna e Ferizajt.
Sipas tij, një problem tjetër që ndikon në lidhjen e kontratave një burimore është kapacitetet jo adekuate të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
“Gjatë katër viteve të fundit në Kosovë janë lidhur një numër i madh i këtyre kontratave një burimore, ku si faktor i rëndësishëm që ka ndikuar në rritjen e përdorimit të kësaj procedurë ishte edhe situata emergjente e krijuar me pandeminë e Covid-19. Megjithatë, institucionet publike vazhduan të lidhin kontratat një burimore edhe pas tejkalimit të krizës së shkaktuar nga Covid-19”.
“Numri dhe vlera e këtyre kontratave dallon nga viti në vit, ku në vitin 2019 me kontrata një burimore u shpenzuan 68 milionë euro, në vitin 2020, u shpenzuan 56 milionë euro, në 2021, 51 milionë euro. Ndërkohë në vitin 2022, u shpenzuan rreth 78 milionë euro”.
“Institucionet që lidhën më së shumti kontrata një burimore gjatë viteve 2019-2023 janë: Komuna e Prishtinës, KEK, Komuna e Gjakovës dhe, Komuna e Ferizajt. Ndërsa, për nga shuma e shpenzuar për kontrata një burimore prijnë; KEK, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës”.
“Kontratat një burimore lidhen për një gamë të gjerë të aktiviteteve të prokurimit si: Furnizime të ndryshme, Sigurimi fizik i objekteve, Transporti i punëtorëve, Pastrimi i objekteve Një pjesë e madhe e këtyre aktiviteteve nuk paraqesin situatë emergjente të parapara me nenin 35, janë të përvitshme dhe të planifikuara dhe të njëjtat do të mund të zhvilloheshin me procedurë të hapur”.
“Një problem tjetër që ndikon në lidhjen e kontratave një burimore është kapacitetet jo adekuate të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, si autoriteti i vetëm që mbikëqyrë dhe trajton përdorimin e kësaj procedure”.
Egzona Kozhani , nga kjo organizatë, tha se ndalim i kësaj procedure është definuar në nenin 35 të Ligjit për Prokurim Publik, raporton EO.
Sipas saj, në rastet kur përdoret kjo procedurë, institucionet nuk publikojnë njoftimin për kontratë dhe ftojnë operatorët ekonomikë që të ofertojnë.
“Në Kosovë, kontratat në prokurim publik mund të lidhen përmes disa procedurave. Procedura më e ndjeshme është ajo e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, përmes së cilës lidhen kontratat një burimore”.
“Në rastet kur përdoret kjo procedurë, institucionet nuk publikojnë njoftimin për kontratë dhe ftojnë operatorët ekonomikë që të ofertojnë. Rrjedhimisht, kjo procedurë nuk është e hapur për operatorët e tjerë të interesuar të ofertojnë, pra kufizon konkurrencën e lirë në mes të operatorëve ekonomikë.
“Përdorimi i kësaj procedure është definuar në nenin 35 të Ligjit për Prokurim Publik, në të cilin janë parashikuar rastet kur mund të përdoret kjo procedurë”. /EO/