Debat në Komisionin për rastin Zekaj

Përplasjet verbale dhe akuzat për politizim e kanë karakterizuar mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Debati u zhvillua mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, dhe deputetit të Lëvizjës Vetëvendosje, Armend Baloku, pas dyshimeve të ngritura për konflikt të mundshëm interesi të njërit prej ekspertëve të angazhuar.

Rrahmani vuri në pikëpyetje paanshmërinë e ekspertit Skender Kandiq, duke pretenduar se ai është figurë politike dhe se në të kaluarën kishte qenë i lidhur me Qendrën për Punë Sociale (QPS).

Ai kërkoi që Kandiq të deklarohej nëse kishte konflikt interesi, duke iu referuar angazhimit të tij të mëparshëm në këtë institucion.

“Sa i përket ekspertëve, eksperti Skender Kandiq me na tregu nëse nuk ka konflikt interesi, unë sa e di kanë qenë pjesë e QPS-së atje”, pyeti Rrahmani.

Kandiq i mohoi pretendimet për konflikt interesi, duke sqaruar se në QPS kishte punuar para luftës, ndërsa pas luftës kishte ushtruar detyrën e drejtorit në Spitalin Rajonal.

“Unë para luftës kam punuar me QPS, pas luftës kam qenë drejtor në spitalin regjional, nuk kam asnjë konflikt interesi”, deklaroi Kandiq.

Ndërkaq, anëtari i Komisionit nga VV-ja, Armend Baloku, kritikoi Rrahmanin, duke i thënë se ai kishte pasur mundësi ta shqyrtonte CV-në e ekspertit para se të votohej angazhimi i tij.

Kjo nxiti reagimin e deputetit të PDK-së, i cili e akuzoi Komisionin për politizim të punës dhe e cilësoi Kandiqin figurë politike.

“Është figurë politike. E keni politizu këtë komision. Ka qenë kandidat për deputet, e njihni shumë mirë, mundeni me aktru”, tha Rrahmani.

Deklarata e tij shkaktoi reagimin e Balokut, i cili e akuzoi Rrahmanin dhe rrethin e tij për mashtrim dhe përpjekje për ta shndërruar mbledhjen në spektakël.

“Aktrimi nënkupton veprim, unë po veproj. Ndoshta ju dhe rrethi juaj jeni duke mashtruar. Dhe a është a nuk është keni pasur mundësi me herrët. Ju bëni shoë dhe po i merrni elementet nga fusha ime”, iu kundërpërgjigj Baloku.

Përplasja mes dy anëtarëve vazhdoi edhe me akuza personale. Rrahmani iu drejtua Balokut duke përmendur një aktivitet të tij, të cilin e kritikoi përmes një deklarate.

“Rasti i rëndë jeni ju, sa që aktivitetit ja keni vënë emrin “Fara e Flliqt”, deklaroi Rrahmani.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, bëri të ditur se gjatë mbledhjes do të intervistohen disa zyrtarë dhe përfaqësues institucionalë që lidhen me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Në mesin e personave që do të intervistohen janë Toska Gega, menaxhere e rastit në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, Durim Kelmendi, udhëheqës në QPS, Shpat Morina, zyrtar i QPS-së, Shpresa Lukaj, drejtuese e QPS-së në Pejë, si dhe Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Protestë para Kuvendit gjatë intervistimeve për vrasjen e Arlinda Zekajt

Read Next

Jakup Krasniqi niset nga Haga drejt Kosovës