FORMULA 1 | Antonelli: Dëshira për titullin e dytë radhazi është edhe më e madhe
Dy të tretat e qytetarëve në Zvicër janë në favor të shfuqizimit të të Premtes së Zezë (Black Friday), ndërsa vetëm 21 për qind dëshirojnë që kjo ditë e blerjeve të vazhdojë të mbahet.
Sipas një sondazhi përfaqësues të realizuar nga instituti Demoscope, me porosi të platformës blackfridaydeals.ch, 67 për qind e të anketuarve janë shprehur kundër vazhdimit të kësaj dite të blerjeve, raporton Watson.
Kjo përqindje është dukshëm më e lartë krahasuar me vitin 2020, kur pak më pak se gjysma e të anketuarve ishin në favor të shfuqizimit të saj.
Gratë janë më kritike ndaj të Premtes së Zezë
Sipas njoftimit për shtyp, qëndrimi kritik ndaj kësaj dite është rritur si te të rinjtë, ashtu edhe te të moshuarit në të gjithë Zvicrën.
Në Zvicrën gjermanishtfolëse, përqindja e atyre që janë kundër saj është rritur nga 51 në 69 për qind, ndërsa në pjesën frëngjishtfolëse nga 44 në 60 për qind.
Rritja më e madhe e kundërshtimit është regjistruar te personat e moshës 35 deri në 54 vjeç, ku kjo përqindje është rritur nga 47 në 69 për qind.
Gratë janë më kritike se burrat, me 70 për qind të tyre që janë në favor të shfuqizimit të të Premtes së Zezë, krahasuar me 64 për qind të burrave.
“E Premtja e Zezë ka një problem me imazhin”, ka thënë eksperti i shitjes me pakicë, Julian Zrotz.
Sipas tij, shumë konsumatorë shqetësohen nga zbritjet e rreme dhe presioni për të konsumuar, i krijuar nga lufta e çmimeve që zgjat disa javë.
Zrotz vlerëson se shitësit me pakicë mund ta rifitojnë besimin e humbur vetëm përmes “ofertave të vërteta dhe të verifikueshme”.
Pavarësisht kundërshtimeve, shumë të rinj planifikojnë të blejnë
Për një pjesë të konsumatorëve, E Premtja e Zezë vazhdon të jetë një datë e rëndësishme në kalendarin e blerjeve.
Pothuajse tre në dhjetë të anketuar planifikojnë të bëjnë blerje gjatë kësaj dite. Te të rinjtë e moshës 15 deri në 34 vjeç, kjo përqindje është edhe më e lartë, pasi më shumë se gjysma e tyre planifikojnë të blejnë.
Megjithatë, edhe në këtë grupmoshë, që është më e prirur për të bërë blerje, pothuajse gjysma do të dëshironte që kjo ditë të shfuqizohej.
Si u realizua sondazhi
Sondazhi u realizua nga instituti Demoscope, me porosi të blackfridaydeals.ch, ku u anketuan 1,013 persona të moshës 15 vjeç e lart në pjesët gjermanishtfolëse dhe frëngjishtfolëse të Zvicrës.
Anketimi u zhvillua nga 16 deri më 28 shtator 2026, ndërsa marzhi maksimal i gabimit statistikor është ±3.1 pikë përqindjeje, me nivel besimi prej 95 për qind.
Pyetja për shfuqizimin e të Premtes së Zezë ishte bërë edhe në vitin 2020, por në një formë paksa të ndryshuar./Telegrafi/