David Alaba: Austria synon të bëjë histori në Botërorin 2026

Kapiteni i Austrisë, David Alaba, ka deklaruar se Kombëtarja austriake do të udhëtojë në Kupën e Botës 2026 me ambicie të mëdha, duke synuar të shkruajë historinë në paraqitjen e saj të parë në turneun më të madh të futbollit që nga viti 1998.

Në një intervistë për FIFA-n, mbrojtësi 33-vjeçar pranoi se pjesëmarrja në Kupën e Botës ishte një nga ëndrrat e pakta të parealizuara në karrierën e tij të pasur me trofe te Bayern Munich dhe Real Madrid.

“Jam jashtëzakonisht i emocionuar para turneut. Është një ëndërr që bëhet realitet. Të jesh pjesë e Kupës së Botës është diçka për të cilën ndihesh mirënjohës dhe krenar”, tha Alaba.

Austria siguroi kualifikimin pas një fushate të suksesshme, ndërsa Alaba kujtoi emocionet e natës kur skuadra vulosi pjesëmarrjen në Botërorin e Amerikës së Veriut.

“Ishte një moment shumë emocional për të gjithë. Në sytë e bashkëlojtarëve të mi mund të shihje se çfarë domethënie kishte ky sukses. Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme”, u shpreh ai.

Kapiteni austriak theksoi se skuadra e drejtuar nga Ralf Rangnick ka bërë progres të madh në vitet e fundit dhe beson se ekipi ka cilësinë dhe karakterin për të qenë konkurrues në skenën botërore.

“Kemi bërë një rrugë të gjatë si ekip. Kemi shumë cilësi në përbërje dhe kjo reflektohet në paraqitjet tona. Kemi ndërtuar vetëbesim dhe duam ta tregojmë atë në Kupën e Botës”, tha Alaba.

Austria është pjesë e Grupit J, ku do të përballet me Algjerinë, Jordaninë dhe kampionen në fuqi, Argjentinën.

Duke folur për sfidën ndaj argjentinasve dhe Lionel Messit, Alaba vlerësoi lart kundërshtarin, por theksoi se fokusi i Austrisë do të mbetet te loja e saj.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për Messin. Të luash kundër Argjentinës është diçka e veçantë, pasi janë kampionët në fuqi të botës. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne duhet të qëndrojmë besnikë ndaj stilit tonë të lojës”, deklaroi ai.

Megjithëse nuk e konsideron Austrinë favorite për trofeun, Alaba nuk fsheh ambiciet e mëdha të skuadrës.

“Për momentin nuk po mendojmë për titullin. Megjithatë, besoj se kemi një ekip që mund të arrijë sukses dhe duam të bëjmë histori. Kemi ëndrra të mëdha dhe po synojmë yjet”, përfundoi kapiteni austriak.

Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa Austria shpreson që rikthimin në skenën më të madhe të futbollit botëror ta shndërrojë në një histori suksesi. /RTKlive

Read Previous

Hoxha: Rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE ka hyrë në fazën më përcaktuese

Read Next

Gazetari italian tregon të ardhmen e Zhegrovës