Covey thotë se UNMIK-u nuk e ka trajtuar Thaçin si komandant

James Peter Covey deklaroi para Gjykatës Speciale se nuk ka pasur asnjëherë një pasqyrë të qartë se kush ishte përgjegjës për rajone të caktuara në UÇK dhe se kujt i raportonte ai person.

Dëshmitari pohoi se ishte e rëndësishme që ish-ushtarët e UÇK-së të integroheshin në forcën policore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë nuk kam pasur asnjëherë një pasqyrë të plotë ose një kuptim shumë të mirë- skemë të mirë të asaj që ushtria do ta quante rendi i luftimeve të UÇK-së për të kuptuar më qartë se kush ishte përgjegjës për një rajon të caktuar dhe kujt i raportonte ky person i caktuar. Një pjesë e mirë e kuptimit tonë kishte të bënte me faktin që jeta e brendshme e UÇK-së sipas KFOR-it dhe unë kam pas kontakte të rregullta me UÇK-në në të gjithë nivelet dhe sigurisht që kishte persona të caktuar që UÇK-ja donte të fliste në kuptimin e preferencës për të folur”, tha dëshmitari.

Po ashtu, Covey tha se kanë organizuar takime të rregullta me Mike Jackson, por që informacionet që kanë shkëmbyer nuk kanë qenë të mjaftueshme për të kuptuar këtë rend të luftimeve që UÇK-ja ka pasur.

“Këtu nuk e kam fjalën për biseda rastësore, por më duhet të them që prej ditës së parë që kemi qenë në Kosovë; e kam fjalën për Kouchner dhe veten time- kemi angazhuar takime të rregullta me Mike Jackson në selinë e vet dhe qëllimi kryesor ka qenë që të shkëmbejmë informacion”, tha ai.

Dëshmitari pohoi se një prej personave që ka dënuar aktet e intolerancës etnike në mes palëve, ka qenë edhe Hashim Thaçi.

Dëshmitari Jock Covey deklaroi të martën në Hagë se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë i njohur si UNMIK, nuk e ka trajtuar Hashim Thaçin si komandant.

“Unë flas në emër të UNMIK-ut. UNMIK-u nuk e ka trajtuar atë si komandant”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një dokument që thuhet se Thaçi ia ka dërguar Bernard Kouchnerit në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Sipas kësaj letre, avokati Luka Mishetiq tha se iu kërkohej disa personave të UÇK-së që të mbajnë armë. Por, Covet tha se ata nuk i janë përgjigjur kësaj letre.

Dëshmitari u pyet se gjatë kohës që ka shërbyer në Kosovë, kur mendon se ka përfunduar konflikti në mes UÇK-së dhe forcave serbe.

“Sipas nesh, konflikti përfundoi me marrëveshjen që serbët të tërhiqen që më duket së është nënshkruar me datën 20 qershor. Nuk më kujtohet thjesht, por ekziston dokumenti. Zbatimi i këtij dokumenti i dha formë zyrtare përfundimit të këtij konflikti”, tha Covey.

Ai mohoi se pas kësaj date kanë pasur dijeni për ndonjë përleshje të armatosur mes palëve. Tha që s’ka dijeni as për ndonjë fshat apo qytet në Kosovë të ishte rrethuar nga forcat serbe.

Covey: Thaçi s’ishte shef i Agim Çekut

(Përditësuar, ora 11:10)- Dëshmitari James Peter Covey deklaroi në Hagë se Hashim Thaçi nuk ishte shef i Agim Çekut dhe se asnjërin nuk e ka parë duke i dhënë urdhra njëri-tjetrit.

Covey tha se ata silleshin në mënyrë korrekte me njëri-tjetrin e po ashtu edhe me rezerva, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Absolutisht jo. Sipas asaj që kam parë ata silleshin në mënyrë korrekte me njëri-tjetrin. Nuk më kujtohet nëse kanë shkëmbyer fjalë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sigurisht që nuk e kam parë asnjëherë njërin që të jepte urdhër ose udhëzime tjetrit. Dukej sikur silleshin me rezerva njëri me tjetrin”, tha ai.

Dëshmitari Covey mohoi se e ka parë ndonjëherë Çekun të jetë udhëzuar me Thaçin lidhur me ndonjë gjë.

Covey: Thaçi me komandantët e zonave kishin marrëdhënie të ndërlikuar


(Përditësuar, ora 10:41)- Duke folur për një takim në të cilin Bernard Kouchner kishte udhëtuar për në Kosovë në shtator të 1999-ës që t’i binde komandantët e zonave për përmbushjen e kushteve të demilitarizimit, James Peter Covey tregoi se Hashim Thaçi nuk foli fare dhe se marrëdhënia e tij me komandantët e zonave ishte e ndërlikuar.

“Kjo më kujtohet fare qartë se dukej sikur po konfirmonte fuqishëm atë që ne besonim që në fillim lidhur me zotin Thaçi kur jemi njohur me atë. Pra, që ai kishte një marrëdhënie të vështirë-ndërlikuar me komandantët e UÇK-së në terren dhe se ata kishin pak kohë ose më mirë thënë kishin shfaqur mungesë respekti ndaj tij. S’kishin respekt”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua një pikturë në një libër që pretendohet se është i shkruar nga gjenerali Mike Jackson. Në këtë pikturë shiheshin pjesëmarrësit e këtij takimi.

Covey tregoi se në emër të UÇK-së në diskutimet në këtë takim merrte pjesë Agim Çeku.

Mbrojtja për Jock Covey: Do të tregojë se Thaçi s’ka pasur autoritet mbi UÇK-në
(Përditësuar, ora 10:27)- Mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq tha se dëshmitari James Peter Covey i cili ka shërbyer në Kosovës si zëvendës i Bernard Kouchnerit, do të tregojë për rolin që ka pasur Thaçi gjatë asaj kohe.

“James Peter Covey ka shërbyer në Kosovë si zëvendësi kryesor i përfaqësuesit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm, Bernard Kouchner nga periudha 15 korrik 1999 deri në janar 2001. Në këtë rol, zoti Covey ka luajt një rol shumë të rëndësishëm për zbatimin e mandatit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që njihet ndryshe si UNMIK sipas Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 në Kosovë dhe ka punuar ngushtë me përfaqësues në Kosovë, aktorë të ndryshëm dhe me figura politike në Kosovë duke përfshirë këtu edhe zotin Hashim Thaçin”, tha Mishetiq.

Ai tha se Covey ka dhënë prova lidhur me rolin e Thaçit dhe bashkëpunimin që e ka pasur ai me UNMIK-un në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ai (Covey) ka dhënë prova lidhur me rolin e zotit Thaçi dhe punën që ka bërë ai në bashkëpunim me UNMIK-un për të ndihmuar për stabilizimin e Kosovës duke folur kundër akteve të dhunës, duke bërë thirrje për tolerancë, duke bërë demilitarizimin e UÇK-së dhe duke mbështetur Shërbimin Policor të Kosovës dhe Forcave Mbrojtëse të Kosovës, duke marrë pjesë në përpjekje për të përfshirë pjesëmarrjen lokale në qeverisje përmes Këshillit të Përkohshme të Kosovës dhe Strukturave të Administratës së Përkohshme”, tha avokati.

Përveç kësaj, Mishetiq tha se Covey do të tregojë se Thaçi nuk ka pasur autoritet real mbi UÇK-në.

“Konstatimet e kanë bërë atë që të arrijë në përfundimin që Thaçi nuk ka pasur autoritet real mbi UÇK-në dhe nuk ka qenë në pozicion që të organizojë ose ndalojë dhunën që ka ndodhur gjatë verës së vitit 1999 dhe se roli dhe ambiciet e Thaçit ishin të një politikani që ka treguar që ka qenë i aftë për të punuar me UNMIK-un dhe i aftë për të gjetur kompromis”, tha Mishetiq.

Fillon dëshminë dëshmitari James Peter Covey në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të martën ka filluar dëshminë dëshmitari i katërt i mbrojtjes, James Peter Covey, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Covey ishte zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Vetë dëshmitari tha se njihet edhe si Jock Covey.

Ky dëshmitar e mban kodin 1DW004 në këtë proces gjyqësor dhe sipas trupit gjykues, dëshmia e tij pritet të zgjasë dy deri në tre ditë. Covey është dëshmitar i thirrur nga mbrojtja e Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas trupit gjykues, mbrojtja e Thaçit ka llogaritur se i duhen katër orë për ta marrë ne pyetje këtë dëshmitar. Ndërsa, sipas tij, tre ekipet tjera mbrojtëse kanë vlerësuar se iu duhen gjysmë ore. Ndërkaq, Prokuroria ka parashtruar se i duhen pesë orë për kundërpyetje.

Prokuroria kishte kërkuar që të shtyhet marrja në pyetje e këtij dëshmitari nga të gjitha palët deri më 1 tetor 2025. Ndërsa, mbrojtja e kundërshtoi një gjë të tillë duke thënë se janë me vonesë dhe se janë të ditura arsyet se pse nuk filloi dëshminë ky dëshmitar të hënën më 29 shtator 2025.

Mirëpo, Mishetiq tha se nuk kundërshtojnë që prokurori pyetjet e veta t’i fillojë nesër me kushtin që të përfundohet me këtë dëshmitar deri në fund të javës.

Trupi gjykues tha se nuk ka pasur vonesë të madhe në nxjerrjen e materialeve nga ana e mbrojtjes për këtë dëshmitar. Si rrjedhojë, pranoi kërkesën e Prokurorisë që ajo ta marrë nesër në pyetje këtë dëshmitar.

Gjatë kësaj kohe u pranua në prova materiale një pjesë e dokumentarit të BBC-së, i cili fliste për luftën e Kosovës dhe ndërhyrjen e NATO-s. Sipas trupit gjykues, ky dokumentar pasqyron rolin e Thaçit gjatë konferencës së Rambujesë.

Ndryshe, në këtë seancë u mor vendim që të pranohet në prova, raportin i IMO-s në çështjen e Salih Mustafës lidhur me dëmin që iu është shkaktuar viktimave përkatëse.

Vlen të theksohet se katër të akuzuarit janë prezent fizikisht në sallën e gjyqit.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Puseta e hapur, shqetësim për ngasësit dhe këmbësorët

Read Next

Çka mund të vendosë Gjykata Kushtetuese për Kuvendin?