Covey: Thaçi nuk kishte autoritet

Diplomati James Peter Covey gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të enjten mohoi se ka parë ndonjë gjë që do ta bënte të besojë ose mendojë që Hashim Thaçi po përpiqej që të merrte pushtetin në Kosovë përmes apo duke kryer krime kundër kundërshtarëve të tij, qoftë personalisht ose me anë të pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së që kryenin këto krime në interes të tij.

Covey tha se shumë shpejt kanë arritur në vlerësimet se ai nuk kishte autoritet të tillë personal, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Jo, dhe mendoj që shumë shpejt kemi arritë në vlerësime se ai nuk e kishte autoritetin personal për të bërë që dikush tjetër të bënte një gjë të tillë. Për më tepër, unë dhe ne arritëm në këtë përfundim se ai dinte se nuk e kishte këtë pushtet dhe këtë fuqi”, tha Covey.

Për Thaçin, Covey tha se e krijoi karrierën hap pas hapi, si dhe duke punuar me UNMIK-un dhe institucionet ndërkombëtare.

“Pra, ai filloi këtë karrierë duke zbuluar hap pas hapi se çfarë mund të bënte për ta krijuar rrugëtimin e tij politik. Ai ishte në të njëjtën kohë, nuk na përket neve nëse ai dëshironte me gjithë mend më të mirën për Kosovën, apo se si mund të realizoheshin ambiciet e tij në mënyrën më të mirë. Ai e gjeti vetë mënyrën për ta bërë këtë dhe ishte detyra jonë që ta ndihmonim ne në këtë rrugëtim. Pra, duke punuar me UNMIK-un, me institucionet. Kjo ka shërbyer edhe interesat e tij. Ky është angazhimi më i mirë që kërkohet nga një politikan”, tha ai.

Dëshmitari shtoi se këto veprime po i shërbenin edhe interesave të tij personale. Tha se ky nuk ishte vlerësim duke qenë naiv, por ishte vlerësim i qartë.

Me kaq përfundoi pyetjet avokati Luka Mishetiq për këtë dëshmitar dhe seanca kaloi në pushim për 10 minuta.

Covey: Thaçin dhe Çekun s’i konsideroj ekstremistë të UÇK-së

(Përditësuar, ora 10:56)- Dëshmitari James Covey mohoi para Gjykatës në Hagë se i konsideron Agim Çekun dhe Hashim Thaçin si ekstremistë të UÇK-së.

Veç kësaj, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari tha se këta dy persona i konsideron të kundërtën e ekstremizmit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Në fakt, jo. Në fakt është krejt e kundërta”, tha dëshmitari Covey.

Ndryshe, dëshmitari kishte pohuar edhe gjatë ditës së djeshme se në librin e tij kishte thënë se ekstremistët e UÇK-së përdornin dhunë dhe terror për të dëbuar serbët jashtë Kosovës.

Në anën tjetër, duke folur për partitë që u krijuan pas luftës, dëshmitari Covey tha se është në dijeni lidhur me ato.

Por, mohoi se gjatë këtyre ditëve të ketë parë ndonjë urdhër të lëshuar nga Thaçi në UÇK. Përveç kësaj, ai po ashtu mohoi se ka parë ndonjë raport që dikush ia ka drejtuar tani të akuzuarit gjatë periudhës së luftës.

Jock Covey gjithashtu mohoi të ketë parë ndonjë gjë që mund ta bëjë që të dyshonte se Thaçi mund të ishte në gjendje që të ndalonte ose parandalonte krimet që dyshohet se janë kryer nga pjesëtarët apo ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Në këtë seancë, në një pjesë të saj nuk kishte fare përkthim në gjykatë.

Covey: Thaçi kërkoi armë për disa persona, e kuptuam që ai ishte vetëm urë lidhëse

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të enjten po vazhdon dëshminë për të tretën ditë me radhë dëshmitari i katërt i mbrojtjes- James Peter Covey, i cili ka qenë zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.

Pyetjet shtesë për dëshmitarin po i vijon mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Duke iu referuar një dokumenti të cilin Thaçi ia kishte dërguar Bernard Kouchnerit, nëpërmjet të cilit kërkonte armë për disa persona nga radhët e UÇK-së gjatë periudhës së demilitarizimit, Covey tha se e kanë kuptuar se tani i akuzuari ishte vetëm urë lidhëse.

“Dje ose të paktën këto dy ditë sa kam qenë këtu, kemi parë një dokument që Thaçi ia kishte dërguar Kouchnerit ku kërkonte armë për disa persona të UÇK-së, dhe ne e dinim që në atë kohë sipas mendimit tonë kjo nuk duhet të ndodhte. Ne e kuptuam se kjo ishte një urë lidhëse. Kjo ishte përshtypja jonë. Po e kryente detyrën që ia kishin kërkuar të tjerët. Po përpiqej të mbante marrëdhënie të mirë me persona që donte t’i mbronte, nuk donte t’i mërziste këta persona. Pra, ne menduam se kjo sjellje u shfaq disa herë”, tha Covey.

Në një deklaratë të mëhershme, dëshmitari kishte thënë se raporti i Thaçit me disa veteranë ishte “në fije të perit”.

“Lidhja e Thaçit me veteranët e vjetër të luftës që kishin luftuar nëpër beteja ishte në fije të perit dhe ishte shumë i kujdesshëm që të mos e tërhiqte shumë perin se mos këputej”, lexoi Mishetiq.

Duke kaluar tek një temë tjetër, me kërkesën e avokatit Mishetiq, seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin se ofruesi i informacionit ka kërkuar që të jetë informacion konfidencial.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë  James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Raporti i institutit amerikan: SHBA-ja duhet të rishikojë strategjinë e saj për Kosovën

Read Next

Kombëtarja e Zvicrës publikon listën për ndeshjen e tetorit