Rreth 20 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, bënë thirrje, në një deklaratë të përbashkët në COP28, të trefishojnë kapacitetet e energjisë bërthamore në botë deri në vitin 2050.
Kjo, krahasuar me vitin 2020, për të reduktuar varësinë nga qymyri dhe gazi, sfida kryesore e këtij samiti.
Njoftimi u bë nga John Kerry, i dërguari i SHBA-ve për klimën, në Dubai, së bashku me disa liderë duke përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin belg Alexander de Croo. Kina dhe Rusia, sot ndërtuesit kryesorë të termocentraleve bërthamore në botë, nuk janë ndër nënshkruesit.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, Rafael Grossi raportoi se ai kishte folur në Dubai me Macron për një njoftim të mundshëm për energjinë bërthamore, i cili do të përfshijë “një angazhim publik në favor të energjisë bërthamore, në një histori të paparë më parë”.
Sipas tij, përfshirja e energjisë bërthamore në samit tregon se deri ku ka arritur tema, “tabu” për dekada pas fatkeqësive të Çernobilit dhe Three Mile Island, Pensylvania.
Por tani duhet të shkojmë më tej, pohon kreu i Observatorit Bërthamor të Kombeve të Bashkuara, i cili shpreson për lirimin e fondeve globale për energjinë bërthamore.
Sipas Grossit, është “gabim” të refuzosh energjinë bërthamore, e cila do të lejonte një kufizim të konsiderueshëm të ngrohjes globale dhe reduktimin e gazeve serrë, tha ai në një intervistë për France Press.
Vështirësia më e madhe, për Grossin, është gjetja e financimit për energjinë bërthamore: «Ka dispozita statutore, ndonjëherë edhe në disa institucione krediti ndërkombëtare, të cilat përjashtojnë energjinë bërthamore. Unë besoj se kjo është krejtësisht e vjetëruar dhe nuk korrespondon me ndonjë kriter shkencor apo teknologjik.
Përkundrazi, mendoj se këto janë gjëra të së kaluarës”. Banka Botërore, për shembull, nuk ka financuar projekte bërthamore që nga viti 1959.
“Unë mendoj dhe shpresoj se do të ketë një evolucion në financimin publik”, shton Grossi. /Albanianpost.com