Çitaku: Procesi për presidentin, “maskaradë antikushtetuese”

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, deklaroi se “është për keqardhje që dy gra kanë pranuar të huazojnë emrin e tyre në një maskaradë të rrezikshme dhe antikushtetuese”.

“Vetë ideja që, me vetëdije, i hyjnë një procesi për të zgjedhur personin që do të udhëheqë institucionin më të lartë në vend, duke shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën, flet shumë për mentalitetin e Albin Kurtit”, shkroi Çitaku në Facebook.

Në seancën e 27 prillit, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, propozoi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën për postin e presidentes.

Votimi u zhvillua edhe pse në sallë nuk ishin të pranishëm së paku 80 deputetë, siç kërkohet nga legjislacioni në fuqi.

Rushiti, aktiviste e të drejtave të njeriut, mori 63 vota, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë votë. Një votë u shpall e pavlefshme. /Radio Evropa e Lirë/

Read Previous

GLPS: Votimi i presidentit pa kuorumin e nevojshëm është “shkelje flagrante” e Kushtetutës

Read Next

Kosova drejt zgjedhjeve? Sonte në mesnatë përfundon afati për presidentin