Çfarë ‘fshihet’ pas protestave të fundit në Izrael?

Rreth 100,000 protestues dolën në qendër të Tel Avivit, duke demonstruar kundër planeve të qeverisë së re të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të ndryshuar sistemin gjyqësor që protestuesit thonë se do të kërcënojë kontrollet dhe balancat demokratike të ministrave nga gjykatat.

Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, demonstrata e së shtunës ishte më e madhja që kur Netanyahu u kthye në pushtet muajin e kaluar në krye të qeverisë më të djathtë në historinë e Izraelit.

Pse protestojnë izraelitët?

Planet e qeverisë kanë tërhequr kundërshtime të egra nga grupe, duke përfshirë avokatët, dhe kanë ngritur shqetësime midis drejtuesve të biznesit, duke zgjeruar ndarjet tashmë të thella politike.

Protestuesit thonë se e ardhmja e demokracisë izraelite është në rrezik nëse qeveria arrin të zbatojë planet, të cilat do të forcojnë kontrollin politik mbi emërimet gjyqësore dhe do të kufizojnë kompetencat e Gjykatës së Lartë për të përmbysur vendimet e qeverisë ose për të shpallur ligjet e Knesset-it jokushtetuese dhe që qeveria të anulojë vendimet e gjykatës.

Përveç kërcënimit të pavarësisë së gjyqtarëve dhe dobësimit të mbikëqyrjes së qeverisë dhe parlamentit, protestuesit thonë se planet do të minojnë të drejtat e pakicave dhe do të hapin dyert për më shumë korrupsion.

“Ata duan të na kthejnë në diktaturë, duan të shkatërrojnë demokracinë”, tha kreu i Dhomës së Avokatëve të Izraelit, Avi Chimi. “Ata duan të shkatërrojnë autoritetin gjyqësor, nuk ka vend demokratik pa një autoritet gjyqësor”.

Si është përgjigjur qeveria?

Netanyahu i ka kundërshtuar protestat, të cilat tani janë në javën e tretë, si një refuzim nga kundërshtarët e majtë për të pranuar rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit.

Qeveria e re është një aleancë midis partisë Likud të Netanyahut dhe një grupi partish më të vogla fetare dhe nacionaliste të së djathtës, të cilat thonë se kanë një mandat për ndryshime gjithëpërfshirëse.

Netanyahu ka mbrojtur propozimet e ndryshimit gjyqësor – të cilat po shqyrtohen nga një komision parlamentar – duke thënë se ato do të rivendosin një ekuilibër të duhur midis tre degëve të qeverisë, shkruan më tej Al Jazeera.

Politikanët e Likud kanë akuzuar prej kohësh Gjykatën e Lartë se dominohet nga gjyqtarë të krahut të majtë, të cilët thonë se shkelin zona jashtë autoritetit të tyre për arsye politike.

Mbrojtësit e gjykatës thonë se ajo luan një rol jetik në mbajtjen e qeverisë para përgjegjësisë në një vend që nuk ka kushtetutë formale.

Ku tjetër është presioni?

Përveç protestave, presioni është rritur mbi qeverinë e Netanyahut pasi prokurori i përgjithshëm i vendit i kërkoi Netanyahut të pushonte një aleat kyç të kabinetit pas një vendimi të Gjykatës së Lartë që e skualifikoi atë nga mbajtja e një posti qeveritar për shkak të një dënimi për shkelje tatimore.

Emërimi i Aryeh Deri si ministër i shëndetësisë dhe i brendshëm u konsiderua “jashtëzakonisht i paarsyeshëm” nga Gjykata e Lartë, që erdhi vetëm disa muaj pasi ai u gjobit dhe hoqi dorë nga mandati i tij parlamentar.

Deri u shkarkua të dielën.

Në fillim të kësaj jave, Netanyahu, vetë në gjyq për korrupsion, u zotua të vazhdojë me planet e ndryshimit gjyqësor pavarësisht protestave.

Kundërshtarët thonë se ndryshimet mund ta ndihmojnë Netanyahun t’i shmanget dënimit në gjyqin e tij për korrupsion, ose të zhdukë fare çështjen gjyqësore.

Netanyahu refuzoi të jepte dorëheqjen në vitin 2019, kur u bë kryeministri i parë izraelit që u padit gjatë kohës që ishte në detyrë.

/Telegrafi/

Read Previous

Gjermani, shqiptari vret ish-gruan në vendin e saj të punës

Read Next

Kurti kujton 25 vjetorin e sulmit të dytë të forcave të Serbisë mbi Jasharajt: Përkulje me nderime të thella për qëndresën e tyre