Ceremonia përkujtimore për 11 shtatorin – Biden, Clinton dhe Obama nderojnë viktimat në New York

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe Zonja e Parë, Jill Biden po marrin pjesë ceremoninë përkujtimore pranë memorialit të 11 shtatorit në qytetin e New Yorkut.

Bidenit i janë bashkuar edhe ish-presidentët, Barack Obama dhe Bill Clinton, si dhe disa udhëheqës kombëtarë dhe shtetërorë.

Ceremonia filloi me një minutë heshtje për të shënuar kohën, 8:46 të mëngjesit, kur aeroplani i parë, American Airlines Flight 11, goditi Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë, saktësisht 20 vjet më parë.

Momente të tjera të heshtjes do të respektohen në orën 9:03, 9:37 dhe 9:59 (sipas kohës lokale amerikane).

Më pas anëtarët e familjeve lexuan emrat e të gjithë viktimave të sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, në Memorialin Kombëtar të 11 Shtatorit në Manhattan.

Vitin e kaluar, ceremonia vjetore e leximit të emrave u ndryshua shkaku i pandemisë COVID-19, ku emrat u lexuan përmes një monitori për të shmangur kontaktin mes njerëzve.

Ndryshe, dy aeroplanë kanë goditur Kullat Binjake të New Yorkut duke lënë të vdekur rreth tre mijë persona gjersa autorët e krimit ende po përballen me procese gjyqësore.  /Telegrafi/

Read Previous

Ibrahimovic: Jam lojtari më i mirë në botë

Read Next

Dogana kap një kamion me pije alkoolike dhe sheqer në Zveçan