Brenda një jave 80 pacientë humbën jetën nga COVID-19 dhe u konfirmuan afro 6 mijë raste të reja

Kur më në fund, të dielën më 28 mars, si shteti i fundit në rajon edhe Kosova u pajis me një sasi modeste prej 24 mijë dozave të vaksinës anti-COVID, numri i rasteve të vdekjes së pacientëve me COVID-19 në javën që lamë pas ka qenë mjaft i lartë, teksa edhe 33 pacientë të infektuar janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar nëpër spitalet e Kosovës.                  

Vetëm gjatë shtatë ditëve të fundit në Kosovë  sipas statistikave të IKSHP-së, 80 persona të infektuar me coronavirus kanë humbur jetën, teksa numri i rasteve të reja është afërsisht 1 mijë e 500 më shumë se i pacientëve të shëruar brenda javës.

Vetëm të mërkurën e 24 marsit, në Kosovë 17 persona të infektuar me COVID-19 humbën jetën, ndërkaq të hënën më 22 mars ishin regjistruar 16 raste të vdekjes nga COVID-19.

Gjatë ditëve të tjera po ashtu ishin regjistruar raste të vdekjeve si të martën, të enjten dhe të dielën nga 10, të premten 6 dhe të shtunën 11 pacientë të vdekur nga coronavirusi.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, nga e hëna e 22 marsit e deri të dielën më 28 mars, numri i rasteve të reja me COVID-19 ka qenë 5 mijë e 796, numri i të shëruarve 5 mijë e 332, kurse i të vdekurve 80.

Më së shumti të infektuar u konfirmuar të dielën, më 28 mars, 914 raste, shifër kjo që qoi në 13 mijë e 726 numrin e rasteve aktive në Kosovë.

Edhe nëpër spitalet e Kosovës situata nuk duket të jetë edhe aq e mirë.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar të dielën se në klinikat e QKUK dhe spitalet rajonale po trajtohen 880 pacientë nga COVID-19, prej tyre 729 të konfirmuar me këtë virus, ndërsa 679 pacientë po trajtohen me oksigjeno- terapi, kurse 33 janë në gjendje të rënduar shëndetësore.

Sipas SHSKUK-së në klinikat e Qendrës Klinike Universitare janë të shtrirë 357 pacientë që po trajtohen për COVID-19, prej tyre 294 të konfirmuar me këtë virus, prej, ku 33 janë në gjendje të rënduar.

Ndërkaq, në spitalet rajonale janë të shtrirë 523 pacientë dhe 20 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndryshe, mbrëmjen e 28 marsit ka arritur në Kosovë kontingjenti i parë i vaksinave kundër coronavirusit, në kohën kur Kosova po përballet me numër të lartë të të infektuarve.

Dozat e para të vaksinave antiCOVID në Kosovë

Kosova është vendi i fundit në rajon që e fillon procesin e vaksinimit, ndërsa kontingjenti i parë ka 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca.

Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Vaksina e kompanisë britanike AstraZeneca, që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, thuhet se është 76 për qind efektive kundër sëmundjes COVID-19.

Pas arritjes së kontingjentit të parë të vaksinës anti-Covid në Kosovë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është një kontingjent i vogël por që ngjall shpresë të madhe.

Ai ka vlerësuar lartë bashkëpunimin mes SHBA-së dhe BE-së për këto vaksina, teksa theksoi se qeveria po bënë të pamundurën që të sigurohen sa më shumë vaksina.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në konferencë për media ka thënë personeli shëndetësorë do të këtë prioritet në vaksinim ndërkaq iu bëri thirrje qytetarëve t’i respektojnë masat. /Telegrafi/

Read Previous

Cristiano Ronaldo rrezikon diskualifikimin për protestat e ashpra ndaj gjyqtarit anësor dhe që u largua nga fusha pa përfunduar takimi

Read Next

Maduro i Venezuelës: “Ne naftën, ju vaksinat”