Brenda burgut më të madh në botë

El Salvadori ka ndërtuar burgun, i cili mund të jetë më i madhi në botë. Ai është gati për të pritur 40 mijë të burgosur. San Salvadori, kryeqyteti i El Salvadorit, konsiderohet si kryeqyteti botëror i vrasjeve, ndërsa qeveria i ka shpallur luftë bandave gjatë kohëve të fundit.

Presidenti Nayib Bukele ka thënë se të burgosurit në institucionin e vuajtjes së dënimit do të kenë kushte tejet të rrepta. Në këtë burg do të ketë rreth 600 ushtarë dhe 250 policë. Gjithashtu, do të instalohen edhe pajisje elektronike që do të bllokojnë valët e telefonave për të parandaluar çdo tentativë komunikimi nga të burgosurit me botën jashtë.

Burgu është ndërtuar në Tecoluca me një sipërfaqe 166 hektarë. Sipas “The Sun”, ai mund të bëhet burgu më i madh në botë. Aktualisht, ky titull i takon burgut Silivri në Stamboll.

Presidenti Nayib Bukele ka shpërndarë edhe pamje nga burgu në rrjetet sociale. Ai është shprehur se burgu do të jetë një element kryesor për të fituar luftën kundër bandave.

“Të gjithë kriminelët që kanë shkaktuar terror dhe dhimbje te populli i El Salvadorit do të vuajnë dënimin e tyre nën një regjim tejet të ashpër”, tha zëvendësministri i Drejtësisë, Osiris Luna.

Marsin e vitit të kaluar, El Salvadori shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pas rritjes së ndjeshme të numrit të vrasjeve. /A2CNN/

Read Previous

Presidentja Osmani u prit në takim nga kryetari i Kuvendit të Islandës

Read Next

Fabrikat e Eurozonës thuhet se kanë kaluar më të keqen