Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, njofton se ekonomia e Kosovës shënoi përshpejtim të rritjes reale të BPV-së në 5.4 përqind në TM1 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, kryesisht si rezultat i përmirësimit të bilancit të eksporteve neto dhe rritjes së konsumit publik.
“Në të njëjtën periudhë, investimet vazhduan të kontribuojnë pozitivisht, megjithëse me ritëm më të moderuar. Rritja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, e shoqëruar me ngadalësimin e importeve të mallrave, kontribuoi në përmirësimin e bilancit tregtar”, thuhet në raportin e BQK-së, “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë”.
Ndryshe nga tremujori paraprak kur konsumi privat dhe investimet ishin shtytësit kryesorë të rritjes, në TM1 2026 konsumi privat u tkurr, duke reflektuar ndikimin e inflacionit dhe ngadalësimin e financimit të konsumit, ndërsa rritja e konsumit qeveritar rezulton të ketë kompensuar dobësimin e kërkesës së brendshme.
“Inflacioni në TM1 2026 u përshpejtua në 6.0 përqind, nga 5.2 përqind në tremujorin paraprak, kryesisht si rezultat i rritjes së çmimeve të shërbimeve dhe energjisë, ndërsa rritja e çmimeve të ushqimit u moderua”, njofton BQK.
Sipas raportit, tendencë rritëse u evidentua edhe në inflacionin bazë, i cili arriti në 5.1 përqind, i nxitur kryesisht nga çmimet e shërbimeve. Në përgjithësi, zhvillimet inflacioniste pasqyruan dominimin e presioneve të brendshme, ndërsa ndikimi i faktorëve të jashtëm, veçanërisht çmimeve të naftës dhe ushqimit, mbeti më i kufizuar.
Gjatë TM1 2026, sektori fiskal në Kosovë u karakterizua nga rritje e të hyrave (+9.9 përqind) dhe shpenzimeve buxhetore (+13.8 përqind), të cilat gjeneruan një suficit primar prej 21.4 milionë euro.
Rritja e të hyrave, duke arritur vlerën 780.1 milionë euro u mbështet kryesisht nga performanca e mirë e TVSH-së dhe tatimeve direkte, ndërsa shpenzimet u mbështetën nga kategoria e pagave në sektorin publik dhe ajo e subvencioneve e transfereve. Në të njëjtën kohë, investimet kapitale shënuan rënie prej 29.6 përqind, duke sinjalizuar ngadalësim në realizimin e projekteve publike.
“Borxhi publik u rrit me 10.2 përqind në 1.87 miliardë euro (15.6 përqind e BPV-së), si rezultat i rritjes së konsiderueshme të borxhit të jashtëm, ndërsa borxhi i brendshëm shënoi rënie të lehtë”, thuhet në raport. /RTKLive