Bislimi: Kosova ka pak kontroll mbi rezultatin e procesit të dialogut

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka potencuar se shteti i Kosovës ka pak kontroll mbi rezultatin e procesit të dialogut, të cilën së bashku me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e ka cilësuar si probleme të jashtme të vendit në raport me pranimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Union.

Bislimi ka pranuar se Kosova nuk ka bërë ende asnjë progres me aplikimin për anëtarësim në BE që nga dhjetori i vitit 2022 kur edhe dorëzoi dokumentacionin e nevojshëm për aplikim.

“Kjo nuk e pengon Kosovën që të bëjë detyrën e saj për t’i përafruar më tej politikat dhe reformat tona me standardet e BE-së”, ka potencuar Bislimi.

Në vlerësimin e tij Kosova në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor ka më shumë sfida përpara kur në pyetje është anëtarësimi në BE.

“Pengesat tona të brendshme janë pothuajse të ngjashme me barrierat me të cilat përballen fqinjët e tjerë të rajonit (…) Megjithatë, krahasuar me vendet e tjera kemi edhe disa pengesa shtesë. Jemi i vetmi vend që nuk e kemi ende statusin kandidat. Ne jemi ende duke luftuar për njohjen nga pesë anëtarë të BE-së dhe ne jemi ende në procesin e dialogut. Ne kemi pak kontroll mbi rezultatin e këtij procesi”, ka potencuar ai.

Bislimi ndër të tjera ka konsideruar se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE duhet të ndodhë në të njëjtën kohë, ose të gjithë do të mbesin jashtë bllokut. /Albanianpost.com

Read Previous

Trump: Kërcënimet e mia ndaj anëtarëve të tjerë të NATO-s janë një mënyrë për të negociuar

Read Next

Ministria e Mbrojtjes jep tender në vlerë 1.8 milion euro për furnizim të FSK-së me 17 mijë palë çizme ushtarake