Biden: Nuk do t’i njohim përpjekjet e Rusisë për aneksimin e territoreve ukrainase

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do të njohin kurrë përpjekjen e Rusisë për të aneksuar territoret e Ukrainës, shkruan BBC.

Deklarata e tij vjen para fjalimit të presidentit rus, Vladimir Putin, të premten. Në të ai pritet që të deklarojë se katër rajone ukrainase do t’i bashkohen Rusisë.  Kremlini ka thënë se Luhansku, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson kanë votuar në të ashtuquajturat referendume për t’iu bashkuar Rusisë.

Ukraina dhe Perëndimi i konsiderojnë këto referendume si të rreme. “Dua të jem shumë i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk do të njohin kurrë, kurrë pretendimet e Rusisë për territorin sovran të Ukrainës”, ka thënë Biden.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Putin e ka cilësuar luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë larguar nga vendi.

/abcnews.al

Read Previous

Tavani i çmimit të derivateve për sot, shtrenjtohen pak nafta dhe benzina

Read Next

Murati deri tash kemi subvencionuar rrymën me 60 milionë euro