Mbi 30 milionë amerikanë kanë votuar para zgjedhjeve të mesmandatit
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Prishtinë, ka shënuar më 26 tetor Javën e Gjuhës Italiane në Botë, përmes një aktiviteti që vuri në fokus promovimin e gjuhës, librit dhe kulturës italiane.
Në kuadër të këtij aktiviteti, Biblioteka Kombëtare pranoi një donacion librash nga Bibliotekat Publike të Torinos, duke inauguruar një hapësirë të re të dedikuar literaturës në gjuhën italiane. Ky donacion synon të pasurojë fondin bibliotekar dhe të krijojë më shumë mundësi për lexuesit që të kenë qasje në botime italiane, ndërsa forcon bashkëpunimin kulturor ndërmjet Kosovës dhe Italisë.
Aktiviteti u organizua në kuadër të temës “Lingua geniale: ideare, progettare, creare con l’italiano” (“Gjuha gjeniale: të ideosh, të projektosh, të krijosh me italishten”), e cila thekson potencialin krijues të gjuhës italiane dhe lidhjen e saj me artin, dijen dhe inovacionin.
Programi përfshiu edhe prezantimin e botimit “Lingua gentile, lingua geniale: ideare, progettare, creare con l’italiano”, si dhe hapjen e një ekspozite kushtuar jetës dhe veprës së Leonardo da Vincit, duke vënë në pah kontributin e tij në art, shkencë dhe kulturë.
Përmes këtij aktiviteti, Biblioteka Kombëtare e Kosovës riafirmon rolin e saj në pasurimin dhe promovimin e trashëgimisë së shkruar, si dhe në krijimin e mundësive për shkëmbim kulturor dhe qasje më të gjerë në dije./KultPlus.com