Çfarë po përgatit Irani? Teherani thotë se udhëheqësi suprem u takua me kreun e sigurisë për çështjen e Hormuzit

Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei – i cili nuk është shfaqur ende në publik që kur mori detyrën në muajin mars – është takuar me kreun e sigurisë, Mohsen Rezaei, për të diskutuar mbi sigurinë rajonale dhe ngushticën e Hormuzit, njoftoi zyra e tij të martën.

Mojtaba u zgjodh në mars për të pasuar babanë e tij dhe sundimtarin shumëvjeçar, Ali Khamenei.

Ky i fundit u vra më 28 shkurt në Teheranin qendror, gjatë sulmeve amerikano-izraelite që vunë në shënjestër edhe komandantë të lartë ushtarakë; thuhet se edhe vetë Mojtaba mbeti i plagosur në të njëjtin sulm.

Që nga emërimi i tij, ai ka komunikuar vetëm përmes mesazheve me shkrim, disa prej të cilave janë publikuar si shkrime dore që i atribuohen atij.

Në një deklaratë, zyra e Khameneit bëri të ditur se, gjatë takimit – i pari i bërë publik mes Rezaeit dhe udhëheqësit – u diskutua për “forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me vendet fqinje” dhe “ruajtjen e sigurisë kombëtare e rajonale përmes menaxhimit të ngushticës së Hormuzit”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Deklarata shton se Khamenei “theksoi nevojën për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e kombit iranian dhe të ‘frontit të rezistencës’, duke respektuar kushtet e vendosura nga autoritetet e vendit, me qëllim dhënien fund të luftës dhe gjendjes që nuk është as luftë, as paqe”.

Takimi i tyre u njoftua një ditë pasi Rezaei zhvilloi bisedime me zyrtarë të lartë nga Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani – vende këto që së fundmi nënshkruan “Paktin e Mekës” për mbrojtje të ndërsjellë.

Nuk u bë e ditur as data dhe as vendndodhja e takimit.

Irani pretendon se ka kontroll mbi ngushticën dhe shpesh merr në shënjestër anijet që përpiqen të kalojnë pa autorizimin e tij; ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një kundër-bllokadë detare ndaj porteve iraniane.

Përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës mbeten të bllokuara, veçanërisht pas dështimit të një marrëveshjeje të muajit qershor, e cila parashikonte një rrugë drejt një zgjidhjeje të përhershme.

Disa zyrtarë iranianë, përfshirë kreun e gjyqësorit Gholamhossein Mohseni Ejei dhe kryetarin e parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, kanë deklaruar ditët e fundit se kanë zhvilluar takime të rralla me udhëheqësin suprem. /Telegrafi/

Read Previous

Komisioni Evropian paraqet kuadrin për qëndrueshmërinë klimatike mes rritjes së kostove të dëmeve nga klima

Read Next

Rritet numri i përfituesve të ndihmës sociale në Zvicër