Bëhet përurimi i pllakës përkujtimore për 31 të rënët në urën e Lluzhanit

Në 22 vjetorin e ngjarjes tragjike të urës së Lluzhanit, sot u bë përurimi i pllakës përkujtimore në shenjë të nderimit të viktimave që ranë në këtë vend.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se ky monument u ndërtua nga Komuna e Podujevës, por me iniciativë të përbashkët me familjet e viktimave.

“Për ndër të këtij përvjetori, ne si institucione lokale, në bashkëpunim me familjet e viktimave, kemi iniciuar ndërtimin e kësaj pllake përkujtimore me emrat e viktimave që kanë pësuar, në mënyrë që në secilin përvjetor ta kemi një vend ku i nderojmë. Nga sot merr fund praktika që ishte deri më tani, ku homazhet e nderimet bëheshin mbi urë, duke rrezikuar edhe shëndetin dhe jetën e familjarëve”, tha kryetari Bulliqi

Kryetari Bulliqi tha se në raste si këto duhet të jemi të kujdesshëm të vlerësojmë e përkujtojmë sakrificat e popullit tonë për liri.

“Kujtimi për sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve na udhëzon për punë të mira, për ecje të drejt dhe na e përkujton se rruga përpara duhet të jetë rruga e ndërtimit dhe e forcimit të shtetit tonë”, tha kryetari Bulliqi. /Telegrafi/

Read Previous

Kurti: Paga minimale do të jetë 250 euro

Read Next

​OHT e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Organizatën Turistike në Ulqin