Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në Tiranë Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilën diskutoi mbi progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit dhe mbi forcimin e partneritetit me Bashkimin Evropian.
Në takim, Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Shqipërinë dhe në mënyrë të veçantë lidershipin e Presidentes von der Leyen, që ka mundësuar që vendi ynë të jetë ndër të parët përfitues nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Begaj theksoi se rruga e Shqipërisë drejt BE-së është një mision kombëtar dhe një ëndërr 35-vjeçare, që bashkon breza e shoqërinë shqiptare.
Ai nënvizoi se hapja e 28 kapitujve negociues në pesë nga gjashtë grupkapitujt tregon vendosmërinë e institucioneve shqiptare për të avancuar me ritme të shpejta e të qëndrueshme.
Presidenti vuri theksin te reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit, duke i cilësuar si dy arritje madhore, që e bëjnë Shqipërinë një shembull në rajon. Ai gjithashtu përmendi digjitalizimin dhe inovacionin në qeverisje, si pjesë të modernizimit të administratës publike dhe forcimit të transparencës.
Begaj rikujtoi se Shqipëria mbetet plotësisht e linjëzuar me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, duke marrë pjesë aktive në dialogun e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në përfundim të takimit, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë strategjike të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, si pjesë e pandashme e stabilitetit dhe e ardhmes së Evropës, dhe shprehu bindjen se Shqipëria do të mbetet një partnere e besueshme dhe e përkushtuar në këtë proces.
Ai falënderoi Presidenten von der Leyen për mbështetjen teknike, politike dhe financiare, si dhe për vizionin e saj për një Evropë të bashkuar, të fortë dhe gjithëpërfshirëse.
Rama: Shqipëria forcon bashkëpunimin rajonal dhe mbetet plotësisht e linjëzuar me BE-në
Kryeministri Edi Rama deklaroi se takimi me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishte një moment i rëndësishëm për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, duke theksuar se diskutimet prekën të gjitha temat me interes të përbashkët.
“Kemi pasur një bashkëbisedim që ka prekur të gjitha temat e interesit të përbashkët dhe, natyrisht, për ne mbetet një moment shumë i rëndësishëm. E vlerësojmë shumë faktin që presidentja dhe Komisioni aktual i japin rëndësi të posaçme Ballkanit Perëndimor dhe i kushtojnë vëmendje procesit të përafrimit të vendeve tona”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se gjatë takimit u diskutua edhe për ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në, i cili sipas tij po avancon me ritme pozitive.
“Procesi i negociatave të Shqipërisë në BE, në këndvështrimin tonë dhe siç dëgjova edhe nga presidentja, është duke ecur me shumë mbarësi dhe shpejtësi”, theksoi ai.
Në qendër të bisedës ishte edhe plani i ri i rritjes për Ballkanin Perëndimor, i iniciuar nga Komisioni Evropian nën drejtimin e Von der Leyen, që parashikon mbështetje financiare nga BE në këmbim të reformave konkrete.
“Edhe në këtë pikë morëm një vlerësim shumë pozitiv dhe do të vazhdojmë t’i kryejmë me përpikmëri të gjitha detyrat”, ravijëzoi kryeministri.
Rama nënvizoi se një pjesë e rëndësishme e bisedës ishte edhe forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe sigurisë në rajon, ku Shqipëria synon të luajë një rol aktiv si pjesë e pandarë e Evropës.
“Kemi folur për forcimin e bashkëpunimit në rajon dhe të sigurisë rajonale, duke pasur përparësi që të lidhemi edhe më fort në funksion të qenies sonë jo vetëm në Evropë, por në zemër të Bashkimit Evropian dhe në funksion të së nesërmes sonë, që është në BE”, u shpreh ai.
Sa i përket zhvillimeve ndërkombëtare, Rama theksoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën në përballje me agresionin rus.
“Kemi prekur edhe çështjen e rezistencës së Ukrainës ndaj agresionit rus dhe jemi të dakord që duhet të vazhdojmë ta mbështesim pa rezerva Ukrainën, sepse aty zhvillohet një përplasje mes dy mënyrave të të parit botën dhe të kuptuarit të bashkëjetesës”.
Grupkapitulli i fundit pritet të hapet në vjeshtë, thotë shefja e BE-së
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka zbuluar të hënën e 13 tetorit se grupkapitulli i fundit i negociatave pritet të hapet në vjeshtë, duke theksuar progresin e shkëlqyer të Shqipërisë në këtë drejtim.
Shefja e BE-së u paraqit në deklaratë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, pas përfundimit të takimit kokë më kokë mes liderëve dhe delegacioneve respektive.
“Kënaqësi të kthehem në Shqipëri dhe të nis turin tim këtu. Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE-së. Keni bërë një rrugë të gjatë, keni bërë një progres të mrekullueshëm me një shpejtësi rekord. Planifikojmë këtë vjeshtë të hapim grupkapitullin e fundit”, deklaroi Von der Leyen.
Ajo u shpreh në vijim se “qëllimi është mbyllja e negociatave brenda 2027-ës, na pëlqen ambicia dhe jemi të gatshëm dhe t’ju mbështesim në çdo hap”.
“Momenti gjeopolitik është këtu, agresioni i Rusisë në Ukrainë ka riformësuar kontinentin tonë. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj mjaft të qartë. Jeni plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë me BE-në dhe së bashku veprojmë si një”, shtoi shefja e BE-së.
Kreu i Qeverisë deklaroi gjatë fjalës së tij se palët diskutuan për ecurinë “e shpejtë” dhe “të mbarë” të negociatave të anëtarësimit dhe për Planin e Rritjes ku vendi mori një vlerësim shumë pozitiv nga ana e Brukselit zyrtar.
Kjo vizitë vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, por edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik e politik mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. /Albanianpost.com