Begaj pret Ali Ahmetin: Tubimi i sotëm dëshmon mbështetjen e shqiptarëve ndaj luftës për çlirimin e Kosovës

Presidenti Bajram Begaj, priti sot në një takim Ali Ahmetin, i cili ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në protestën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e Ahmetit si një ndër themeluesit e UÇK-së, ndërsa theksoi se tubimi i sotëm krah veteranëve në Tiranë dëshmon mbështetjen unanime të shqiptarëve ndaj luftës së drejtë për çlirimin e Kosovës.

“UÇK-ja bën krenar çdo shqiptar. Ajo është pjesë thelbësore e historisë sonë, sepse bëri një luftë të drejtë ndaj padrejtësisë shekullore”, vlerësoi Presidenti Begaj, i cili theksoi se UÇK-ja ka pasur gjithmonë mbështetjen e aleatëve tanë, pasi ka qenë një organizëm çlirues dhe jo okupues.

Gjatë bisedës me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti u diskutua edhe për faktorin shqiptar në rajon.

Presidenti Begaj u shpreh për bashkëpunimin mes njëri-tjetrit dhe unitetin për çështjet që lidhen me identitetin kombëtar, paqen, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin euroatlantik të tij.

Kreu i Shtetit garantoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj faktorit politik shqiptar në rajon dhe përpjekjeve për të siguruar ndaj qytetarëve një jetesë sa më të mirë. /ATSH/

Read Previous

Arne Slot zbulon problemin kryesor të Liverpool-it

Read Next

U nis në këmbë nga Kosova, veterani i UÇK-së mbërrin në Tiranë për protestën e sotme