”Axios”: Trump synon të ndalojë hyrjen e grave shtatzëna të huaja në SHBA
Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, instanca më e lartë gjyqësore e bllokut, ka konfirmuar gjobën antitrust prej 4,125 miliardë eurosh ndaj kompanisë “Google”, për shkelje të konkurrencës të sistemit operativ “Android”.
Gjyqtarët në Luksemburg rrëzuan sot ankesën e gjigantit amerikan, duke i dhënë fund një procesi të gjatë ligjor.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi të lërë në fuqi dënimin, duke konfirmuar që praktikat e “Google” kanë kufizuar konkurrencën në treg.
Komisioni Evropian, si autoriteti i konkurrencës në BE, kishte vendosur fillimisht, gjobën rekord në vitin 2018, pasi konstatoi se “Google” kishte forcuar në mënyrë të paligjshme dominimin e saj, duke detyruar prodhuesit e telefonave të instalonin “Google Search” së bashku me aplikacione të tjera të kompanisë, si dhe duke paguar për vendosjen e motorit të kërkimit, si opsion i paracaktuar.
Sipas Komisionit, këto praktika kanë penguar zhvillimin e aplikacioneve konkurruese dhe kanë forcuar barrierat e hyrjes në treg.
Më herët, Gjykata e Përgjithshme e BE-së e ulli gjobën nga 4,34 miliardë euro në 4,125 miliardë euro, vendim që më pas u apelua nga “Google”, duke çuar çështjen në Gjykatën e Drejtësisë.
Ky vendim shënon përfundimin e një prej betejave më të gjata ligjore mes Brukselit dhe “Google” për dominimin në tregun e shërbimeve digjitale.
Në vitin 2021, “Google” humbi gjithashtu një tjetër çështje “antitrust” lidhur me promovimin e shërbimeve të veta të blerjeve, për të cilën u gjobit me 2,4 miliardë euro. /ATSH-DPA/