Starmer bën thirrje për lëvizje të lirë në Ngushticën e Hormuzit
Bashkimi Evropian hapi sot një tjetër kapitull të negociatave të anëtarësimit me Ukrainën, duke shënuar një hap të ri në rrugën e gjatë të Kievit drejt anëtarësimit në BE.
Përfaqësuesit e BE-së dhe Ukrainës nisën në Bruksel, bisedimet për kapitullin që lidhet me marrëdhëniet e jashtme, përfshirë politikën tregtare, si dhe politikat e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.
Gjatë konferencës për anëtarësimin, ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Gunther Krichbaum, tha se ishte e rëndësishme të shfrytëzohej momenti aktual dhe të vazhdohej përpara me procesin.
Ai theksoi se qeveria gjermane, mbështet procesin gradual të integrimit, përfshirë edhe një formë të ndërmjetme të “anëtarësimit të asociuar”, të propozuar në maj nga kancelari gjerman Friedrich Merz.
Sipas kësaj ideje, Ukraina mund të merrte statusin e vëzhguesit në institucionet e BE-së, pa qenë ende anëtare e plotë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ka kërkuar një rrugë më të shpejtë drejt anëtarësimit, e ka pritur me rezerva këtë propozim, duke shprehur frikën se Ukraina mund të mbetet në një status të përhershëm pezull, mes vendit kandidat dhe atij anëtar të BE-së.
“Anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian duhet të jetë i plotë – si një anëtare e barabartë”, shkroi Zelensky në rrjetin social X.
Procesi i anëtarësimit në BE, synon të sigurojë që vendet kandidate të përmbushin të gjitha kriteret për anëtarësim.
Ai ndahet në 35 kapituj negociues, nga të cilët 33 janë të organizuar në gjashtë fusha kryesore.
Ukraina nuk pritet t’i përfundojë negociatat për anëtarësim, para dekadës së ardhshme.
Bisedimet për grupin e parë negociues nisën në mes të qershorit. Hapja e grupit të dytë konsiderohet një sinjal i rëndësishëm, se reformat e Ukrainës po japin rezultate, pas një vonese dyvjeçare të shkaktuar nga vetoja e Hungarisë./express