BE fiton “luftën” ndaj Google, gjykata konfirmon gjobën 2.4 miliardë euro për monopol në treg

Google humbi një apel të mërkurën kundër një gjobe prej 2.4 miliardë eurosh të vendosur nga Bashkimi Evropian për abuzim me dominimin e motorit të kërkimit – një fitore e madhe për përleshjen anti-monopol të bllokut europian me titanin e teknologjisë.

Vendimi i Gjykatës së Përgjithshme me qendër në Luksemburg konfirmoi vendimin historik të marrë nga Komisioni Evropian në vitin 2017.

Megjithatë, çështja mund të kundërshtohet përsëri, nëse Google vendos t’i drejtohet gjykatës më të lartë të BE-së, Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, për fjalën e fundit.

“Aktgjykimi i sotëm jep mesazhin e qartë se sjellja e Google ishte e paligjshme dhe ofron qartësinë e nevojshme ligjore për tregun”, tha Komisioni Evropian në një deklaratë.

Rasti përqendrohet në shërbimin e blerjeve të Google dhe është një nga tre çështjet kundër gjigantit të motorit të kërkimit që aktualisht po kalon nëpër sistemin e ankesave të BE-së.

Në atë kohë, gjoba ishte më e madhja ndonjëherë e BE-së.  Por më vonë ajo u tejkalua nga një gjobë prej 4.3 miliardë eurosh kundër Google për sistemin e saj operativ të smartfonëve Android.

Në apelin e saj, Google dhe kompania e saj mëmë Alphabet kishin argumentuar se BE-ja ishte “e gabuar në ligjin, faktet dhe ekonominë” në rastin e motorit të kërkimit.

Por gjykata tha se hodhi poshtë “në pjesën më të madhe padinë e ngritur nga dy kompanitë dhe mban në fuqi gjobën e vendosur nga Komisioni”.

Gjykata tha se, duke favorizuar shërbimin e tij Google Shopping mbi rivalët në renditjen dhe pozicionimin e rezultateve të kërkimit, “Google u largua nga konkurrenca mbi bazë meritash”.

Lexo edhe: Google arrin vlerën 2 trilionë dollarë. Fitimet nga reklamat, Android, Youtube dhe shërbimet në rrjet

Një zëdhënës i Google tha se kompania do të shqyrtojë vendimin.

“Ky gjykim ka të bëjë me një grup shumë specifik faktesh dhe ndërkohë që do ta shqyrtojmë nga afër, ne kemi bërë ndryshime në vitin 2017 për të respektuar vendimin e Komisionit Evropian”, tha zëdhënësi.

“Qasja jonë ka funksionuar me sukses për më shumë se tre vjet, duke gjeneruar miliarda klikime për më shumë se 700 shërbime krahasimi të blerjeve.”

Ndërkohë që Google u godit me një pengesë në BE, kompania shmangi një çështje të veçantë ligjore në Britani të mërkurën pasi Gjykata e Lartë bllokoi një padi prej 4 miliardë dollarësh në grup, duke e akuzuar atë për ndjekjen e paligjshme të miliona përdoruesve të iPhone.

/TopChannel/

Read Previous

iPhone i vetëm në botë i modifikuar me hyrje për karikues Samsung shitet për 86,000 dollarë

Read Next

BE-ja rekomandon përdorimin e pilulës së Merck kundër COVID-19