Bayern Munich publikon detajet për gjendjen e Jamal Musialas

Bayern Munich ka bërë të ditur se mesfushori Jamal Musiala i është nënshtruar ekzaminimeve të para për simptoma neurologjike më 22 prill 2025, më shumë se 16 muaj para se diagnoza e tij të bëhej publike.

Klubi gjerman ka publikuar këtë informacion sot, pas spekulimeve të ditëve të fundit rreth gjendjes shëndetësore të futbollistit dhe të ardhmes së tij në skuadër.

Bayerni ka bërë të ditur se të martën ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Musialas, ku është diskutuar situata e tij, duke theksuar se shëndeti i lojtarit mbetet prioritet absolut për të dyja palët.

“Në takimin e së martës mes FC Bayern Munichut dhe menaxhmentit të Jamal Musialas u zhvillua një diskutim konstruktiv. Për të dyja palët, shëndeti i lojtarit është prioritet absolut. Jamal Musiala do të marrë mbështetje të plotë gjatë gjithë procesit të rikuperimit”, thuhet në komunikatën e klubit.

Bayerni dhe agjencia përfaqësuese e futbollistit, “11WINS”, kanë sqaruar gjithashtu se ekzaminimi i parë mjekësor ishte kryer më 22 prill 2025, pas shfaqjes së simptomave të para të ngjashme me krizat e mungesës.

Musiala kishte bërë të ditur në gusht se ishte diagnostikuar me një çrregullim neurologjik, i cili shkakton episode të shkurtra dhe të përkohshme të mungesës së vetëdijes, por që sipas tij është lehtësisht i trajtueshëm.

Musiala, i cili në shkurt të vitit 2025 nënshkroi vazhdimin e kontratës me Bayernin deri në vitin 2030, kishte munguar për një pjesë të madhe të sezonit të kaluar pas thyerjes së këmbës në Kupën e Botës për Klube 2025.

Në shtator, ai pësoi edhe një lëndim në muskujt e kofshës së pasme, ndërsa u rikthye në fushë javën e kaluar në barazimin 1-1 ndaj Kolnit në Bundesligë. /KosovaPress/

Read Previous

​Kurti udhëton drejt Brukselit, çfarë pritet nga Samiti BE – Ballkani Perëndimor?

Read Next

Center Mall organizon mbrëmje argëtuese për fëmijët me maskotat e tyre të preferuara