Ish-futbollisti i Man Cityt: Premierliga është brutale për momentin

Ish-futbollisti i Manchester Cityt, Shaun Wright-Phillips, ka komentuar formën e dobët të skuadrës së drejtuar nga Enzo Maresca, duke thënë se Premierliga është bërë jashtëzakonisht konkurruese dhe se çdo gabim po ndëshkohet.

Manchester City ka katër ndeshje pa fitore në kampionat, pas barazimit 1-1 ndaj Fulhamit të shtunën në “Etihad Stadium”, rezultat që erdhi pas tri humbjeve radhazi.

Wright-Phillips beson se një nga problemet kryesore të Cityt vazhdon të jetë mbrojtja ndaj kundërsulmeve, veçanërisht kur skuadra humb topin në tranzicion.

“Manchester City ka qenë gjithmonë i cenueshëm ndaj kundërsulmeve dhe situatave kur kundërshtari e kap në tranzicion. Mendoj se kjo vazhdon të jetë e njëjta gjë edhe tani, ndoshta edhe më shumë, sepse këtë sezon skuadra nën drejtimin e Enzos luan më hapur dhe më argëtueshëm”, ka thënë ai.

Sipas ish-reprezentuesit anglez, skuadrat cilësore në Premierligë dinë t’i shfrytëzojnë hapësirat që lë City, ndërsa rasti i Fulhamit ishte dëshmi e kësaj.

“Premierliga është brutale në këtë moment. Një rast i mirë dhe kaq mjafton”, u shpreh Wright-Phillips.

Megjithatë, ai beson se problemet e Cityt mund të zgjidhen përmes përmirësimit të repartit defensiv, pasi skuadra vazhdon të krijojë raste shënimi. Wright-Phillips ka vlerësuar veçanërisht sulmuesin Erling Haaland, të cilin e sheh si arsyen kryesore pse Manchester City mbetet gjithmonë i rrezikshëm.

“Me numrin e sulmuesve që kam parë gjatë karrierës sime, nuk kam parë askënd që finalizon aksionet si Haaland. Ai mund të jetë jashtë lojës për 70 minuta dhe pastaj të largohet nga fusha me një het-trik. Për mua, City gjithmonë ka shanse për të fituar, sepse golat e tij ngritin edhe lojtarët e tjerë”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Wright-Phillips ka folur edhe për ndikimin që mund të kenë pasiguria dhe spekulimet rreth çështjeve financiare të klubit te futbollistët.

Manchester City përballet me akuza për më shumë se 100 shkelje të rregullave financiare, ndërsa pritet vendimi përfundimtar lidhur me këtë çështje. /KosovaPress/

Read Previous

Belgjika inauguron fabrikën më të madhe të satelitëve në Evropë

Read Next

KB “Vëllaznimi” ndërpret bashkëpunimin me trajneri Aleksandar Jonçevski