Wendt: Provat digjitale, thelbësore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë po mbështet trajnimin e administruar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së për përdorimin e provave digjitale në hetimet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ambasadori amerikan në Tiranë, Eric Wendt, gjatë fjalës së tij drejtuar përfaqësuesve të SPAK-ut, gjyqtarëve, prokurorëve dhe hetuesve gjatë një takimi të zhvilluar të martën në ambientet e SPAK, theksoi rëndësinë e aftësisë së institucioneve ligjzbatuese për të identifikuar, ruajtur dhe analizuar provat digjitale, të cilat po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në hetimin e veprave të rënda penale.

“Kompanitë amerikane duan të investojnë në Shqipëri, në energjitikë, infrastrukturë, turizëm dhe teknologji. Firmat amerikane do të vijnë kur të kenë besim që kontratat respektohen, tenderat janë të drejtë dhe sistemi i drejtësisë siguron zbatimin e barabartë dhe të drejtë të ligjit për të gjithë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Thjesht zbatojeni ligjin barazisht”, tha ai.

“Kur një tender manipulohet ose kur praktikat ligjore apo të biznesit janë korruptive, fusha e lojës nuk është e barabartë dhe ofertuesi amerikan tërhiqet. Kur ai investitor largohet, Shqipëria humb vende pune dhe sakrifikon rritjen ekonomike”, theksoi Wendt.

Sipas Wendt, kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar po përdorin gjithnjë e më shumë platformat digjitale, aplikacionet e enkriptuara dhe kriptovalutat për të fshehur aktivitetin e tyre dhe për të transferuar para përtej kufijve.

“Çështjet e krimit të organizuar ndërkombëtar kanë rëndësi, sepse rrjetet që e çojnë kokainën në Evropë, rrjetet që ju po i luftoni, e blejnë atë nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut që helmojnë komunitetet amerikane. Shtetet e Bashkuara i kanë përcaktuar shumë nga ato grupe si organizata terroriste të huaja”, tha ai.

Ai nënvizoi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA-së është i rëndësishëm edhe në luftën kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, veçanërisht rrjeteve të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

“Çdo kontenier që sekuestroni, çdo llogari bankare që bllokoni dhe çdo kre krimi që sillni para drejtësisë iu heq karteleve paratë dhe pushtetin. Dhe, çdo rrjet që çmontoni na bën të gjithëve më të sigurt: Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe fqinjët tanë. Ligjzbatuesit amerikanë do të vazhdojnë t’i luftojnë këto rrjete, por veprimet shqiptare, nënkuptojnë se atyre nuk u duhet të luftojnë vetëm. Paraja kriminale nuk ndalon te kufijtë. Ajo lëviz nëpër banka, këmbyes kriptovalutash dhe kompani guackë dhe shpesh arrin në sistemin financiar amerikan.

Trafikanti i drogës koordinon dërgesat në aplikacione të enkriptuara. Zyrtari i korruptuar fsheh ryshfetin në portofole kriptovalutash dhe në llogari jashtë vendit (offshore). Pastruesi i parave transferon fonde përtej kufijve brenda pak sekondave”, u shpreh ambasadori.

“Kriminelët kanë kaluar në platformat digjitale. Edhe zyrtarët e drejtësisë duhet ta bëjnë këtë. Këto beteja kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit shpesh kalojnë nëpërmjet provave digjitale”, shtoi ai.

Ambasadori theksoi se një pjesë e provave të nevojshme për hetimet shqiptare mund të gjenden në serverë në SHBA, përfshirë komunikimet elektronike, llogaritë e rrjeteve sociale dhe hapësirat e ruajtjes së të dhënave në re.

Për këtë arsye, sipas tij, është e rëndësishme që hetuesit dhe prokurorët të njohin procedurat për kërkimin dhe ruajtjen në kohë të këtyre të dhënave.

“Disa nga provat që ju nevojiten ndodhen në serverë në Shtetet e Bashkuara: postë elektronike, llogari të rrjeteve sociale dhe hapësira ruajtjeje në re (cloud) që mbahen nga kompani amerikane. Ju mund t’i merrni ato prova. Por, ju duhet të njihni rregullat: çfarë duhet të ruani, çfarë duhet të kërkoni, si ta bëni kërkesën dhe si të veproni shpejt. Të dhënat mund të zhduken brenda disa ditësh. Një kërkesë për ruajtje e dërguar sot mund të shpëtojë një çështje që përndryshe do të rrëzohej vitin e ardhshëm”, tha ai.

Në trajnim, eksperti i Departamentit të Drejtësisë, Taylor Phillips, do të prezantojë procedurat për sigurimin e provave digjitale, ndërsa ambasadori Wendt iu drejtua veçmas hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke vënë në dukje rolin e secilit në zinxhirin e administrimit dhe vlerësimit të provave.

“Hetuesve: Ju jeni hallka e parë e zinxhirit. Mënyra se si i identifikoni, ruani dhe sekuestroni provat digjitale vendos nëse ato do të mbijetojnë në gjykatë.

Prokurorëve: Ju i ktheni të dhënat në një rrëfim që gjykata mund ta ndjekë. Ju lidhni një adresë protokolli të internetit (IP), një portofol kriptovalutash dhe një mesazh elektronik me një person real.

Gjyqtarëve: Ne e respektojmë plotësisht pavarësinë tuaj. Asgjë në këtë program nuk ju kërkon ta shihni ndonjë çështje në një mënyrë ose në një tjetër. Qëllimi ynë është i thjeshtë: t’ju ndihmojmë t’i testoni me rigorozitet provat digjitale, të gjykoni besueshmërinë e tyre dhe t’i peshoni me vetëbesim”, tha ambasadori.

Ai nënvizoi se mbështetja amerikane synon forcimin e kapaciteteve profesionale, duke respektuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe duke garantuar që vendimmarrja të mbështetet vetëm te provat dhe ligji.

“Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar vënë bast se ju nuk mund ta ndiqni atë gjurmë përtej kufijve, nëpër aplikacione të enkriptuara dhe brenda portofoleve të kriptomonedhave. Ky seminar ka për qëllim t’iu provojë që e kanë gabim. Ndiqni provat. Ndiqni paratë. Ndërsa i bazoni vendimet tuaja vetëm te provat dhe ligji, kurrë në bazë të pozicionit, lidhjeve apo rëndësisë së një personi, me agjencitë tuaja apolitike dhe të pavarura nga çdo ndikim i jashtëm i papërshtatshëm, Shtetet e Bashkuara janë krenare të qëndrojnë krah jush”, përfundoi ambasadori Wendt. /ATSH/

Read Previous

​Xhemajli: Veshjet popullore, dëshmi e pasurisë kulturore dhe traditës shqiptare

Read Next

Berisha: Ne do të qendrojmë në mbrojtje të interesit kombëtar, ky regjim i ka kohërat e shkurtra