Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Brukselit, ku sot do të marrë pjesë në Samitin BE – Ballkani Perëndimor.
Bashkimi Evropian do të përfaqësohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Sipas agjendës së publikuar nga Këshilli Evropian, samiti do të fokusohet në avancimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përshpejtimin e reformave, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Në mesin e temave kryesore do të jetë edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes të cilit BE-ja ka paraparë deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime në vendet e rajonit.
Liderët do të diskutojnë gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përballjen me kërcënimet kibernetike, dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja.
Sipas Agence Europe, në samit pritet të miratohet një deklaratë që do të riafirmojë mbështetjen për dialogun Kosovë–Serbi dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të këtij procesi.
Ndërkohë, Serbia ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në samitin e sotëm.
Samiti i fundit ndërmjet liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ishte mbajtur më 5 qershor 2026 në Tivat të Malit të Zi. /KosovaPress/

