GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Bashkimi Evropian duhet të ribalancojë marrëdhëniet e tij tregtare me Kinën, deklaroi nënkryetari i Komisionit Evropian dhe komisioneri për industrinë, Stephane Sjourné, ndërsa Brukseli po i kushton sërish vëmendje lidhjeve tregtare me Pekinin.
Deficiti tregtar i BE-së në mallra me Kinën arriti rreth 360 miliardë euro vitin e kaluar dhe po shtohen thirrjet për të korrigjuar këtë çekuilibër.
“Hapja ndaj tregtisë, e cila është pjesë e ADN-së së Evropës, mbetet një prioritet për ne”, tha Sejourné, duke shtuar se nevojitet “një ribalancim i tregtisë, duke qenë se aktualisht kemi një deficit prej mbi 360 miliardë eurosh me Kinën”.
Kolegji i komisionerëve të BE-së, ku bën pjesë edhe Sejourné, do të zhvillojë të premten e ardhshme një debat të posaçëm mbi mënyrën se si blloku me 27 vende duhet t’i qaset Kinës për të siguruar kushte më të barabarta konkurruese.
Po ashtu, sipas një zyrtari evropian, po diskutohet një vizitë në Bruksel në fund të muajit të ardhshëm e ministrit kinez të Tregtisë, Wang Wentao.
Pas debatit në Komisioni Evropian, liderët evropianë do të diskutojnë marrëdhëniet tregtare me Kinën gjatë samitit të BE-së në Bruksel më 18-19 qershor.
Ministrat e tregtisë së BE-së, të mbledhur sot në Bruksel, u përpoqën të ruanin ekuilibrin, duke theksuar se marrëdhëniet me Kinën mbeten të rëndësishme, por kërkojnë më shumë reciprocitet.
“Kina është një partner i rëndësishëm tregtar. Por duhet të sigurohemi që të ketë një ekuilibër më të madh në këtë marrëdhënie”, deklaroi ministrja irlandeze e Tregtisë, Helen McEntee.
Ajo theksoi se BE-ja duhet të adresojë rreziqet që lidhen me varësinë nga mineralet e rralla dhe ndikimin që kufizimet e fundit kanë pasur mbi ekonominë evropiane.
Nga ana e tij, zëvendësministri polak i Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë, Michał Baranowski, tha se Evropa po përballet me një garë kundër kohës për të reduktuar varësitë strategjike dhe për të forcuar sovranitetin ekonomik.
Tensionet tregtare mes Kinës dhe BE-së janë shtuar gjatë muajve të fundit, veçanërisht pas vendosjes nga Pekini të kufizimeve mbi eksportin e mineraleve të rralla. Këto masa nxorën në pah varësinë e madhe të Evropës nga Kina, prodhuesi më i madh në botë i këtyre elementeve strategjike. /ATSH-AFP/