Si prodhohet djathi, një ndër specialitetet e Qumështores Gexha
Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, bëri një pasqyrë të sfidave kryesore që tregu bankar dhe politika monetare përballuan gjatë vitit 2025, si dhe masat prioritare që do të ndiqen në 2026 për të ruajtur stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.
Në një intervistë për Albanian Post, Minxhozi theksoi se viti 2025 u karakterizua nga një mjedis global i pasigurt, me rikonfigurim të politikave dhe zinxhirëve tregtarë, si dhe nga luhatje të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, të cilat e bënë më kompleks menaxhimin e inflacionit.
Përveç faktorëve globalë, flukset e larta valutore nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja direkte ushtruan presione mbiçmuese mbi Lekun, ndërsa rritja e kreditimit dhe digjitalizimi i sektorit financiar kërkuan vëmendje të shtuar për ruajtjen e standardeve të kujdesshme dhe parandalimin e rreziqeve në bilancet e bankave.
Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë ndoqi një qasje të kujdesshme monetare dhe makroprudenciale, duke ankoruar pritjet për inflacionin dhe krijuar kushte të favorshme për rritjen ekonomike.
Shtrëngimi i masave makroprudenciale, përfshirë kufizimet e raportit kredi/vlerë për kreditë hipotekare dhe forcimin e kapitalit të bankave, rriti qëndrueshmërinë e sektorit bankar.
Paralelisht, avancimet në infrastrukturën e pagesave dhe adoptimi i standardeve evropiane përmirësuan efikasitetin dhe konkurrencën në sektorin financiar.
Falë këtyre masave, viti 2025 rezultoi pozitiv: ekonomia u rrit me rreth 3.6%, inflacioni qëndroi në nivele të ulëta rreth 2.2%, punësimi dhe pagat u përmirësuan, ndërsa sistemi financiar tregoi stabilitet dhe performancë të mirë. Përmirësime u shënuan edhe në borxhin publik dhe të jashtëm, duke reflektuar vlerësime pozitive nga agjencitë ndërkombëtare.
Megjithatë, sfidat mbeten të pranishme. Minxhozi vuri në dukje rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të mjedisit global, digjitalizimit financiar dhe përgatitjeve për integrimin evropian, të cilat kërkojnë përafrim me standardet dhe kuadrin rregullator të BE-së.
Për vitin 2026, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ndjekë një politikë monetare të kujdesshme dhe të bazuar në të dhëna, të forcojë kapacitetet analitike dhe mbikëqyrëse, dhe të ruajë një qasje të balancuar ndaj inovacionit financiar.
Sipas Minxhozit, kjo do të sigurojë stabilitetin e çmimeve, qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe besueshmëri për ekonominë shqiptare, edhe në një mjedis global gjithnjë e më të paqëndrueshëm. /Albanianpost.com