Balla përgëzon punën për vetëpastrimin e Policisë së Shtetit

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka përgëzuar Policinë e Shtetit për punën e bërë në vetëpastrimin e kësaj të fundit, duke vendosur përpara përgjegjësisë efektivë të inkriminuar.

Këtë reagim, Balla e lidh me rastin e fundit, ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë ka arrestuar një punonjës të Policisë, identifikuar si Ervis Shkurta, 38-vjeç, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

“Policimi është një profesion fisnik që kërkon integritet, guxim dhe ndjenjë të thellë të detyrës. Prandaj do bëj gjithçka për ta çuar përpara procesin e vetëpastrimit të policisë, për të pasur si në drejtim edhe në rolin bazë, jo vetëm më profesionistët, por edhe ata më me integritet”, përmend fillimisht Balla në një komunikatë për media.

Më tej, ai shtjellon se e vërteta është që përballë sfidave gjithnjë në zhvillim, roli i zbatuesve të ligjit bëhet gjithnjë e më kompleks. Nga lufta kundër narkotikëve, armë-mbajtjes pa leje, krimeve kibernetike dhe patjetër kundër krimit të organizuar forca jonë policore duhet të përshtatet dhe të jetë e aftë dhe inovatore për ta mbrojtur e po aq, për t’i shërbyer publikut.

Reformimi dhe vetë-pastrimi i brendshëm, investimet në teknologji e infrastrukturë, angazhimi i Qeverisë për të mbështetur rritjen e pagave në mënyrë të ndjeshme këtë vit, sipas tij, janë hapa të rëndësishëm në synimin e shtetit për të pasur një shërbim policor të duhur, për Shqipërinë kampione e Ballkanit edhe në fushën e sigurisë publike.

“Forcimi i rolit të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, rritja e besimit dhe bashkëpunimi me qytetarët është busulla jonë orientuese për një Shqipëri më të sigurt dhe të qetë falë punës dhe përkushtimit të punonjësve të ndershëm dhe profesionistë të Policisë së Shtetit”, përmbylli. /Albanianpost.com

Read Previous

Qytetarë të Gjakovës ndajnë momente nga lufta në prag të 25 vjetorit të bombardimeve të Natos

Read Next

Dëmtimi i shportave të mbeturinave, shqetësim për kalimtarët