Bajrami: Duhet marrëveshje politike për konstituim të Kuvendit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, nuk tregoi se si do të votojnë deputetët e partisë së saj në seancën e sotshme, por shtoi se “me 20 votat e LDK-së, Kuvendi nuk mund të konstituohet”.

Ajo insistoi se “LVV-ja duhet t’i thërrasë partitë e tjera për konsultim për konstituimin e Kuvendit, presim ftesë për marrëveshje politike”.

Çfarë tha Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e plotë?

Gjykata Kushtetuese vendosi se zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Paraprakisht, kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin në mënyrë të njëanshme.

Kushtetuesja gjithashtu tha se votimi në pako për nënkryetarët e Kuvendit nuk është i imponueshëm, por mund të realizohet me dakordim ndërmjet grupeve parlamentare.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit – ishte ankuar pikërisht për këtë pikë të procedurës, duke pretenduar se mosvotimi në pako i dy nënkryetarëve nga pakicat, përbënte shkelje.

Kuvendi i ka zgjedhur kryetarin, tre nënkryetarët shqiptarë dhe nënkryetarin nga pakica joserbe tashmë, por ka dështuar ta zgjedhë atë nga pakica serbe – me gjithë vazhdimet e pafundme të seancës së nisur më 15 prill.

Deputetët do të kenë tani 12 ditë kohë, sipas urdhrit të gjykatës më të larët të vendit, për ta zgjedhur nënkryetarin serb dhe për ta bërë Kuvendin e ri përfundimisht.

Megjithatë, gjykata nuk ka sqaruar as në aktgjykimin e fundit të saj se çfarë ndodh tutje nëse nuk zgjidhet nënkryetari serb dhe Kuvendi nuk konstituohet brenda 12 ditëve afat. /Radio Evropa e Lirë/

Read Previous

Sveçla paralajmëron arrestime të tjera pas Fatmir Shehollit

Read Next

Forumi i Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Rama: Hap i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik në rajon