Azemi: As në Ministrinë e Punës nuk po respektohet paga minimale

Punëtorët e sigurimit fizik dhe punëtorët teknik të cilët punojnë në objektin e Ministrisë së Punës ku qëndron Ministri Andin Hoti, kanë marrë pagë më të vogël se sa paga minimale që ka ndryshuar nga 1 Janari 2026 sipas Vendimit të Qeverisë.

Kështu ka bërë të ditur Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

“Edhe aty ku punëtorët duhet të gjejnë mbështetje dhe drejtësi, ligji nuk po zbatohet. Këta punëtorë janë ankuar se pagat e muajit Janar i kan marrë pa rritje dhe jo sipas vendimit në fuqi, pra nën pagën minimale. Sot është data 10 Mars dhe këta punëtorë ende nuk i kanë marrë pagat e tyre për muajin Shkurt, që sipas të gjitha gjasave do të ju ofrohet e njëjta pagë”, shkruan Azemi në Facebook.

Sipas tij, është krijuar një kaos i vertetë në shumë spitale të Kosovës dhe në shumë Ministri pasi që punëtorët ende nuk i kanë marrë pagat e tyre për muajin paraprak, ‘fajtor sipas deklarimit të pronarëve të kompanive janë Ministritë përkatëse dhe Kuvendet Komunale pasi që këto nuk ua alokuan mjetet e nevojshme kompanive që kryejnë shërbime për institucionet publike dhe komunale.

“Sindikata është duke hulumtuar keqpërdorimet që po bëhen në kurrizin e punëtorëve dhe shumë shpejt do të dilet më të dhënat e sakta për këta keqpërdorues. Keqpërdorimet e tilla janë evidente, por institucionet përkatëse po heshtin”, shkruan ai.

Paga minimale, e cila ka qenë 350 euro, është rritur në dy faza, fillimisht në 425 euro bruto në janar 2026, ndërsa në korrik do të bëhet 500 euro bruto në muaj për të gjithë punëtorët me orar të plotë. /KosovaPress/

Read Previous

Gazi natyror rikthehet në debat – a është Kosova gati për një epokë të re të energjisë?

Read Next

Supremja hedh poshtë kërkesën e Pjetër Shalës