Avokati i Popullit reagon pas zhvillimeve të fundit në UP

Institucioni i Avokatit të Popullit është shprehur jashtëzakonisht i shqetësuar në lidhje me deklarimet e fundit për ngacmimet seksuale në Universitetin Publik të Prishtinës.

Në një reagim publik, IAP thotë se shqetësime të tilla janë shprehur edhe më herët nga studentët në takime e në aktivitete promovimi të të drejtave të njeriut me Institucionin e Avokatit të Popullit.

“Ngacmimet seksuale nuk duhet të tolerohen, kërkohet reagim institucional, kërkohet po ashtu debat i hapur publik për të ndikuar në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, sidomos të vajzave e të grave që rastet e tilla t’i raportojnë tek autoritetet përgjegjëse. Kjo çështje kërkon masa efikase në reagim për të rritur besimin në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë, me qëllim që kjo dukuri në asnjë rast të mos mbetet pa u ndëshkuar”, thuhet në këtë reagim.

27 studente të Fakultetit të Mjekësisë së UP-së kanë denoncuar profesorin e matematikës në UP, Xhevat Krasniqin, për ngacmim seksual.

Këshilli i Etikës i UP-së, pas intervistimit të profesorit dhe marrjes në pyetje të studenteve akuzuese, i ka rekomanduar Rektoratit të UP-së që ta pezullojë nga puna të njëjtin.

E Rektorati e aprovoi këtë rekomandim, duke e pezulluar profesorin Xhevat Krasniqi.

Avokati i Popullit thotë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës parasheh se secili person e ka të drejtën e respektimit të integritetit fizik të tij/saj, si një prej të drejtave më të rëndësishme personale të njeriut, e cila ngërthen në vete detyrimet pozitive për shtetin për t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të përshtatshme për ta mbrojtur pacenueshmërinë e tij/saj.

“Është detyrë jona të ndërhyjmë dhe t’i mbrojmë viktimat e ngacmimit seksual duke u ofruar mbështetje dhe duke i njoftuar autoritetet përkatëse kompetente për këto sjellje të papërshtatshme, të cilat ushtrohet nga personat e caktuar me qëllim të përfitimit seksual, të cilët krijojnë ndjesinë e të qenët i pafuqishëm përballë tij/saj”, ka thënë ndër të tjera IAP.

Në fund, Avokati i Popullit ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse që të ndërmerren të gjitha masat e përshtatshme për parandalimin, identifikimin, raportimin dhe trajtimin e këtyre rasteve në mënyrë efektive dhe me urgjencë.

Prokuroria ka njoftuar se ka hapur rast për veprën penale të ngacmimit seksual ndaj profesorit Krasniqi. /Klankosova.tv

Read Previous

Mbi 70 biznese të vogla të komuniteteve jo shumicë marrin pjesë në panairin e biznesit të programit IV

Read Next

Opozita lëshon sallën, shkak raporti i DASH e marrëveshjet ndërkombëtare