Avokatët zbardhin dëshmitë e serbëve të arrestuar për sulmin terrorist

Të paktën 3 nga 6 të arrestuarit serbë për sulmin ndaj zyrtarëve policor, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, kanë rrëfyer para hetuesve policor, për sulmin që kishin përgatitur.

Ata kanë pranuar të flasin duke mos shfrytëzuar të drejtën e tyre për mbrojtje në heshtje, siç e kanë shfrytëzuar disa të tjerë të arrestuar.

Bllagoje Spasojevic, është njëri nga të arrestuarit nga Policia e Kosovës, e i cili tashmë është në mbajtje.

Ai para hetuesve ka thënë se me vet dëshirë i është bashkuar grupit terrorist që sulmuan policinë.

Sipas avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, Halit Derguti i njëjti pretendon se ai është dorëzuar tek policët.

“S’ka pasur ankesë. A të ka rreh dikush, ka thënë jo. Me ka thënë se vullnetarisht i është bashkuara atij grupi, thotë se nuk ka shtirë me armë. Ata thonë e kanë arrestuar, ky thotë jam dorëzuar, kur kanë filluar me shti me armë, jam shtri për toke, ai thotë atëherë është dorëzuar, këta thonë e kanë arrestuar, kryesore ai është arrestuar…Nuk ka lajmëruar që ka lëndime, nuk ka dashur të shkojë te mjeku, faktikisht lëndimet në krye, në ballë i shihet që ka pasur gjak… Po ka thënë se vullnetarisht kam shkuar”, ka thënë Halit Derguti – avokat i Bllagoie Spasoieviç.

Para organeve të rendit, ka folur edhe Dushan Vllajoviq, në veturën të cilën ishte duke udhëtuar së bashku me një person tjetër tek i cili u gjet një radiolidhje.

Siç mëson RTV Dukagjini, i njëjti ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se shoku i tij ka poseduar një radiolidhje.

Për ngjarjen ka rrëfyer edhe Milovan Gjoni, i arrestuar për vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Derisa, këta të dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë të komunës së Zveçanit, ndodhen në ndalim, në QKUK po vazhdon trajtimin Vladimir Stoliq.

“Pacienti i rastit të djeshëm ka ardhur në orët  e vona të së dielës, dhe ka qenë me plagë me armë zjarri, me plagë të hapura të kërcilit të majt dhe i është nënshtruar nga ekipa kujdestare intervenimit, që ka qenë i suksesshëm, dhe sot e kemi vizituar dhe gjendja e përgjithshme është e mirë”, ka thënë Gani Jashanica – drejtor i Klinikës së Ortopedisë.

6 të arrestuarit gjatë ditës së djeshme, ende nuk kanë dalur para Gjykatës, derisa vazhdojnë të jenë në ndalim për 48 orë, nën dyshimet për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ , ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Përveç në spitalet Kosovare, trajtim siç kanë raportuar mediat serbe, janë duke marrë edhe disa të plagosur që janë shtrirë në Spitalin e Novi Sadit, por nuk janë dhënë detaje konkrete mbi numrin tyre.

Read Previous

Qeveria ndan 10 milionë euro për zbatimin e masave të energjisë

Read Next

Arrestohen edhe dy persona në Banjskë, kapen me armatim